Lidhje

Turqia, kurdët dhe Shteti Islamik


Në fshatrat turke përgjatë kufirit mes Turqisë dhe Sirisë, kurdët lokalë dhe refugjatët nga Siria në qytetin e rrethuar të Kobanit nga militantët e Shtetit Islamik, mbajtën një manifestim të heshtur për të kujtuar betejën një mujore, me një përzjerje shprese dhe tmerri. Por lajmi se xhihadistët po çojnë atje shumë përforcime, e ka shtuar frikën se qyteti mund të bjerë në duart e tyre.

Mbrojtja e paepur e Kobanit përballë sulmit një-mujor të militantëve islamikë është burim e një krenarie të madhe për kurdët nga të dyja anët e kufirit mes Sirisë dhe Turqisë. Refugjatët nga qyteti sirian me shumicë popullsie kurde, krahas me kurdët e Turqisë, duke parë betejën e zhvilluar, ende kanë shpresë se mbrojtësit e qyteteve dhe pse më të paktë në numër dhe më pak të armatosur, do të mund ta ruajnë kontrollin.

Por lajmi se grupi Shteti Islamik, i njohur gjithashtu si ISIS, po dërgon përforcime të mëdha në qytetin e pushtuar nga luftimet, po shkakton alarm. Aliu, një bari 47-vjeçar nga një fshat turk pranë kufirit, thotë se vajza e tij 18-vjeçare, Aven, është duke luftuar në

Kobani në radhët e forcës mbrojtëse kurde, YPG.

Ai thotë se në telefonatën e saj të fundit me celular nga brenda qytetit të rrethuar, ajo shprehu dëshpërim për mospërputhjen që ekziston mes palëve ndërluftuese, duke thënë se nuk e dinte se nga vinin një numër aq i madh xhihaditësh. Ajo u ankua për refuzimin e qeverisë turke që të lejojë një korridor mes kufirit dhe Kobanit, në mënyrë që vullnetarët kurdë nga Turqia dhe Siria të mund t'u bashkohen luftimeve.

Nëse do të kishin qenë të njëjtë në numër, Aven argumenton se kurdët do ta kishin mundur Shtetin Islamik dhe do ta kishin mbajtur kontrollin e Kobanit.

Zyrtarët perëndimorë dhe ata të OKB-së, po ashtu kanë përsëritur konstatimet e vajzës 18-vjeçare kurde, e cila kaloi kufirin për në Siri që t'i bashkohet YPG-së 6 muaj më parë, pa u treguar prindërve për planet e saj.

Por qeveria turke nuk pranon t'i lejojë përforcimet kurde brenda në Turqi për t'i lehtësuar mbrojtësit e qytetit, duke bërë që kurdët ta akuzojnë Ankaranë për partneritet sekret me Shtetin Islamik, ose të paktën se i sheh kurdët si një rrezik më i madh se sa militantët e Shtetit Islamik. Turqia i është kundërvënë luftës 30-vjeçare të kurdëve për vetëqeverisje nën drejtimin e Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit, ose PKK, dhe YPG është një degë e PKK-së. Tani ekziston një proces i lëkundur paqeje me kurdët e Turqisë, por aktivistët e PKK-së thonë se nëse Kobani bie, atëhere procesi i paqes do të marrë fund.

Protestat e dhunshme të kurdëve gjatë ditëve të fundit në mbarë Turqinë, kanë shkaktuar rreth 40 të vrarë. Qeveria ka marrë masa për probleme të mëtejshme duke vendosur për herë të parë pas disa vjetësh ushtarë nëpër qytetet kurde.

Abu Bakr Omar Abdullah, është anëtar i Parlamentit të Kurdistanit të Irakut. Ai ishte për një vizitë të shkurtër ditët e fundit në

Kobani dhe tha se situata atje është e tmerrshme dhe se mbrojtësit e qytetit kanë armë të lehta, ndërsa militantët e Shtetit Islamik janë të pajisur me armatime të rënda, si tanke. Ai shtoi se mbrojtësit e qytetit janë të vendosur dhe luftimet zhvillohen të pamëshirshme shumë pranë njëri tjetrit, rrugë më rrugë dhe shtëpi më shtëpi.

Kurdët kanë nën kontroll vetëm një të tretën e qytetit, kryesisht në zonën veriore dhe qendrore dhe burimet e YPG-së thonë se atje ka vetëm një dalje të ngushtë për në Turqi.

Sulmet ajrore nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara në Kobani i kanë ndihmuar kurdët të rezistojnë, por zyrtarët amerikanë thonë se rënia e Kobanit është vetëm çështje kohe.

XS
SM
MD
LG