Lidhje

Kurdët, thirrje për vazhdimin e procesit të paqes

  • Dorian Jones

Kurdët i kanë bërë një thirrje të fundit qeverisë së Turqisë, siç shprehen ata, për të bërë reforma që do ta çonin përpara procesin e paqes për t’u dhënë fund luftimeve prej tri dekadash. Më herët këtë vit, kryengritësit e PKK-së filluan të tërhiqeshin nga Turqia në kuadrin e përpjekjeve të paqes. Vëzhguesit janë të shqetësuar se ngecja e tanishme mund të kërcënojë përpjekjet e paqes.

Partia e Punëtorëve të Kurdistanit akuzon Partinë AK në pushtet se po saboton përpjekjet e paqes, pasi nuk po bën lëshime që kur grupi vendosi të tërheqë forcat e tij nga Turqia për në pjesën veriore të Irakut fqinj.

Kryengritësit prisnin që qeveria t'i përgjigjej tërheqjes, duke shpallur reforma ligjore dhe duke liruar mijëra aktivistë të burgosur politikë, shumë nga të cilët anëtarë të Partisë kryesore të Paqes dhe Demokracisë, ose BDP. Anëtari i parlamentit nga kjo parti, Ertugrul Kurkçu paralajmëron për shqetësimet në rritje ndaj kësaj gjendjeje.

"Kjo është serioze. Njerëzit po humbasin durimin. Çdokush pret një përmirësim të madh të kushteve të jetesës përsa i përket lirisë. Prandaj mosndryshimi i gjendjes e shton padurimin dhe kjo vështirëson çdo gjë. Nga ana tjetër veprimet e qeverisë kanë qënë kontradikore, veçanërisht në zonat kurde për xhandërmarinë e re dhe rajonet e policisë, situatë që provokon trazira në këto zona”.

Procesi i paqes filloi vitin e kaluar me bisedimet mes udhëheqësit të burgosur të PKK-së, Abdullah Oçalan, dhe shefit të shërbimit turk të zbulimit. PKK-ja filloi tërheqjen e rreth 3 mijë luftëtarëve në muajin maj. Por Kryeministri Recep Tayyip Erdogan përjashtoi çdo lëshim deri sa rebelët e PKK-së të largohen krejtësisht.

Analisti politik i gazetët turke Milliyet, Kadri Gurçel, thotë se zgjedhjet e rëndësishme lokale vitin e ardhshëm mund të jenë faktori kryesor i vonesës.

“Ai kërkon të lërë përshtypjen tek zgjedhësit e tij se qeveria ka arritur me sukses të largojë nga Turqia njësitë e armatosura të PKK-së, pa i bërë lëshime asaj para zgjedhjeve”.

Vëzhguesit paralajmërojnë se ekziston rreziku që trazirat e filluara në muajin maj në Parkun Gezi për një projekt zhvillimi mund të përhapen në zonat kurde në verilindje. Asli Aydintashbash është analist për kanalin televiziv të Turqisë, CNNTurk.

"Ngjarjet në Gezi i bënë disa njerëz në qeveri dhe në kabinet të kuptojnë se duhet ecur përpara me refomën kurde. Ata nuk mund të presin deri sa të largohen të gjitha njësitë e PKK-së. Arsyeja është se ata përballen aktualisht me protesta . Kërkesat janë shtuar për reforma më të gjera demokratike nga laikët, intelektualët dhe nga 50 përqindëshi tjetër i elektoratit që nuk ka votuar për Partinë AK. Prandaj, duke iu bashkuar dinamikës së Parkut Gezi, kurdët do t’i kishin shkaktuar një traumë të fortë qeverisë”.

Kërcënimi për trazira civile nga ana e kurdëve është real, thotë deputeti i BDP-së, Ertugrul Kurkçu.

"Ata kanë kaluar tani nga një luftë manovrash në një luftë pozicionesh, që do të thotë se protesta civile është elementi bazë i strategjisë së re kurde dhe ata nuk do të përdorin armët në asnjë formë”.

Prova se çfarë do t’i vinte qeverisë nga kurdët mund të shihet që në muajin shtator. BDP ka njoftuar se do të mbajë një protestë masive, më një shtator, Ditën Botërore të Paqes, në mbështetje të procesit të paqes, duke kërkuar nga qeveria që të ndërmarrë reforma demokratike.
XS
SM
MD
LG