Lidhje

Turqia lehtëson tensionet mes Pakistanit dhe Afganistanit


Turqia lehtëson tensionet mes Pakistanit dhe Afganistanit
Turqia lehtëson tensionet mes Pakistanit dhe Afganistanit

Presidentët e Pakistanit dhe Afganistanit mbajtën takimin e gjashtë të lartë trepalësh me homologun e tyre turk në Stamboll. Takimi mes udhëheqësve të Pakistanit dhe Afganistanit është i pari që nga vrasja e ish presidentit të Afganistanit dhe shefit të negociatave paqësore, Burhanuddin Rabanit, për të cilën Kabuli mban përgjegjës Islamabadin. Dorian Jones njofton nga Stambolli.

Zgjidhja e tensioneve mes Afganistanit dhe Pakistanit lidhur me vrasjen e ish presidentit Rabbani ishte një nga çështjet kryesore gjatë ditës së bisedimeve të kryesuara nga presidenti turk Abdullah Gul. Gjatë një konference të përbashkët për shtyp me presidentët Asif Ali Zardari dhe Hamid Karzai, zoti Gul tha se ishte arritur një zgjidhje.

Ai tha se Pakistani dhe Afganistani kanë arritur një marrëveshje të rëndësishme, pasi ranë dakord të bashkëpunojnë për të kontribuuar në hetimet kombëtare lidhur me vrasjen e zotit Rabbani. Presidenti Gul tha se hetimi do të koordinohet nga ministritë e jashtme të të dyja vendeve dhe ai do të përfshijë shërbimet e tyre të zbulimit.

Zoti Rabbani, i cili kërkonte të negocionte me talebanët për t’i dhënë fund kryengritjes së tyre, u vra nga një sulmues vetvrasës. Vrasja e tij ka qënë burimi i fundit i mosbesimit të thellë në marrëdhëniet tashmë të vështira mes Pakistanit dhe Afganistanit. Presidenti Karzai ka akuzuar shërbimin sekret të Pakistanit, ISI, për përfshirje në vrasje – një akuzë që Islamabadi e mohon. Zoti Karzai e përshëndeti marrëveshjen.

"Shpresoj se mekanizmi që kemi vendosur për të ndjekur çështjen e vrasjes së presidentit Rabbani do të dalë me sukses dhe do të çojë në marrëdhënie më të frytshme dhe të vazhdueshme mes Afganistanit dhe Pakistanit në të ardhmen".

Presidenti afgan e ka ngritur gjithnjë e më shumë zërin e tij me akuzat se ISI u ka dhënë mbështetje kryengritësve talebanë – një akuzë që Islamadabi e mohon me forcë. Por në një hap tjetër për të ulur tensionet, krerët e forcave të armatosura të të dyja shteteve zhvilluan gjithashtu bisedime në Stamboll, së bashku me homologët e tyre turq.

Ulja e tensioneve bilaterale shihet si çelësi në përmirësimin e stabilitetit rajonal dhe sigurinë e të ardhmes në Afganistan.

Vëzhguesit thane se krijimi i një klime pozitive politike në marrëdhëniet mes të dyja vendeve është i rëndësishëm para takimeve ndërkombëtare mbi Afganistanin që do të zhvillohen në Bon të Gjermanisë në dhjetor dhe në Çikago të Shteteve të Bashkuara vitin e ardhshëm.

XS
SM
MD
LG