Lidhje

Roli i Turqisë në Lindjen e Mesme në pikëpyetje


Ndërmjetësimi i Egjiptit për një armëpushim muajin e kaluar që i dha fund dhunës mes Izraelit dhe udhëheqjes së Hamasit që kontrollon Rripin e Gazës, u konsiderua nga vëzhguesit si një triumf diplomatik për Kajron. Në Turqi ky sukses po shihet si një shenjë tjetër se ndikimi i vendit po bie. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Dorian Jones njofton nga Stambolli.

Armëpushimi i ndërmjetësuar nga Egjipti mes Izraelit dhe udhëheqjes së Hamasit në Gazë shihet si një sukses diplomatik i Presidentit egjiptian Mohamed Morsi. Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare Cengiz Aktar i Universitetit Bahcesehir të Stambollit thotë se ky sukses nënvizon ndikimin në rënie të diplomacisë turke në rajon.

“Egjipti është marrë gjithmonë me këtë çështje, kishte gjithmonë ndikim. Me këtë ndërmjetësim, ata i janë rikthyer përsëri këtij roli. Me stabilizimin e gjendjes dhe me marrëdhëniet e mira të Morsit me Shtetet e Bashkuara dhe Perëndimin në përgjithësi, Turqia është anashkaluar nga i gjithë procesi”.

Ankaraja tha se kishte luajtur rol në zgjidhjen e krizës. Por këto përpjekje janë penguar nga fakti që Ankaraja ka ndërprerë pothuajse të gjitha marrëdhëniet diplomatike me Izraelin. Marrëdhëniet u ndërprenë pas vrasjes së nëntë qytetarëve turq nga forcat izraelite të mbrojtjes para dy vjetësh.

Ndërsa vëzhguesit thonë se marrëdhëniet mes Tel Avivit dhe Kajros nuk janë të ngrohta, ato gjithsesi ekzistojnë. Sinan Ulgen, kreu i Institutit Studimor Edam me qendër në Stamboll thotë se kriza e Gazës e kthen vëmendjen tek kostoja diplomatike që po paguan Ankaraja, veçanërisht me rritjen e rolit të Egjiptit.

“Roli i Turqisë është kufizuar nga pamundësia për të hyrë në bisedime me udhëheqjen izraelite. Ne duhet të theksojmë se këtë mundësi Turqia e kishte dikur dhe në thelb, ajo ishte avantazhi që Turqia mund të sillte në rajon. Gjithsesi, Turqia nuk është i vetmi vend me këto shanse. Eshtë edhe Egjipti me udhëheqjen e tij”.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu i zgjati dorën Turqisë këtë muaj, duke thenë se ishte në interes të dy vendeve që të rindërtonin marrëdhëniet. Vëzhguesit thonë se dorëheqja e Ministrit të Jashtëm izraelit Avigdor Lieberman, mund t’i jape një shtysë këtij qëllimi. Zoti Lieberman është një nga kritikët më të ashpër të Ankarasë.

Por një zyrtar turk nuk u dha shumë rëndësi këtyre zhvillimeve, duke thënë se marrëdhëniet do të përmirësohen vetëm kur Tel Avivi të kërkojë falje dhe të jape dëmshpërblim për qytetarët e vrarë turq, si edhe të heqë embargon ekonomike ndaj Gazës.

Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare Aktar paralajmëron se aleanca e Ankarasë me vendet myslimane Sunni si Arabia Saudite dhe Katari, si edhe qëndrimi i prerë ndaj qeverive Shiite të Irakut dhe Iranit, janë izoluese dhe minojnë pozicionin e saj si një faktor i rëndësishëm diplomatik në rajon.

“Do të vazhdojë e njëjta gjendje, nëse nuk bëhet një vend i paanshëm dhe nëse vazhdimisht është në anën e grupeve Sunni, do të vazhdojë të lihet mënjanë në Lindjen e Mesme”.

Por çfarëdo hapash të ndërmarrë Ankaraja, mund të mos jenë të mjaftueshme për të shmangur mjegullimin e rolit të saj nga Egjipti në rajon, thotë analisti Selim Idriz i gazetës së përditshme Hurriyet Daily News. Ai thotë se fakti që Turqia nuk është vend arab, do ta lërë gjithmonë në dizavantazh me Egjiptin në Lindjen e Mesme.

“Dimensioni pan-arab gjithmonë i ka dhënë një avantazh Egjiptit në rajon. Rivaliteti mes Turqisë dhe Egjiptit gjithmonë ka qenë miqësor dhe nuk bëhet fjalë për armiqësi. Por ka shumë shanse që Egjipti të stabilizohet dhe të zhvillohet ekonomikisht, në shkallë sociale dhe politikisht. Atëherë mendoj se Egjipti do të bëhet përsëri fuqia mbizotëruese në Lindjen e Mesme”.

Por ndërsa Egjipti ende përballet me pasiguri politike dhe ndoshta edhe trazira të brendshme, mund të jetë herët për ta shpërfillur rëndësinë e Turqisë në Lindjen e Mesme.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG