Lidhje

Turqia përballë kritikave pas aksidentit të minierës


Dhjetra njerëz janë ndaluar në Turqi lidhur me zjarrin që ra në një minierë qymyri në qytetin perëndimor Soma, ku u vranë mbi 300 njerëz dhe disa zyrtarë të kompanisë së minierave janë akuzuar për neglizhencë. Qeveria turke ka premtuar të bëjë hetim të plota, por ajo po ashtu po ndeshet me një presion në rritje lidhur me rolin në këtë fatkeqësi.

Mes personave të ndaluar janë zyrtarë të lartë të Kompanisë Soma Holding, e cila drejtonte minierën kur ndodhi fatkeqësia. Ministri turk i energjisë Taner Yildiz pati premtuar se hetimi nuk do të kursejë askënd.

"Në se kanë bërë gabime, nuk do të tregohet asnjë tolerancë ndaj tyre, pavarësisht në se ata janë nga sektori publik, apo privat."

Qeveria po përballet me kritika në rritje për lidhjet e afërta me kompanitë e minierave. Gjatë sundimit për më tepër se një dekadë, qeveria e kryeministrit Recep Tayyip Erdogan ka privatizuar me agresivitet shumicën e minierave të vendit dhe media lokale njoftoi se zyrtarë të lartë të kompanisë Soma kishin lidhje me partinë në pushtet AK.

Kryeministri Erdogan i hodhi poshtë akuzat si shpifje dhe këmbënguli se nuk njihte njeri në Kompaninë Soma Holding. Por nënkryetari i partisë së opozitës, Republican People’s Party, Faruk Logoglu, tha se qeveria duhet ta kishte kontrolluar minierën Soma para fatkeqësisë.

"Kjo minierë ka një rekord të tmerrshëm, përsa i përket sigurisë në vendin e punës, për aksidentet në vendin e punës dhe vdekjet që kanë ndodhur atje. Ne vetëm i kërkuam qeverisë ta shqyrtonte këtë çështje, por fatkeqësisht partia në pushtet nuk e pranoi kërkesën tonë. Ndoshta situata do të ishte ndryshe sot, në se do të ishte marrë në në konsideratë kërkesa jonë."

Deri tani qeveria nuk ka shpjeguar përse e hodhi poshtë thirrjen për hetim.

Po ashtu, ka një presion ndërkombëtar në rritje ndaj qeverisë lidhur me fatkeqësinë në minierë. Emma Sinclair Webb e organizatës Human Rights Watch me seli në Nju Jork, thotë se edhe pse tani po zhvillohet një hetim i madh për fatkeqësinë, qeveria duhet ta shqyrtojë çështjen në tërësi.

"Kjo tragjedi duhet të kishte marrë një përgjigje më serioze përsa i përket dështimit të sistemit të minerave në Turqi. Qeveria duhet ta trajtojë këtë gjendje problematike të aksidenteve në miniera dhe duhet të marrë masa, që në të ardhmen të mos ndodhin më ngjarje të tilla; të bëhen inspektimet e nevojshme dhe të ndërtohet nga e para sistemi i sigurisë në miniera."

Gjendja e sigurisë në miniera po shqyrtohet me kujdes tani që ndodhi fatkeqësia në minierën e Somas. Qeveria e Turqisë, si paraardhëset e saj, por ndyshe nga qeveritë e Iranit, Kinës dhe Indisë, -- ka refuzuar të nënshkruajë Konventën e Organizatës Ndërkombëtare së Punës mbi Sigurinë në Miniera të vitit 1995. Një peticion në internet, që i bën thirrje qeverisë ta nënshkurajë atë, ka grumbulluar deri tani 200 mijë emra, që kur ai u publikua, pas aksidentit në Soma.

Kemal Okan, ndihmës sekretar i përgjithshëm i organizatës sindikaliste IndustriALL Global Union, thotë se minierat turke janë tani nga më të rrezikshmet në botë.

"Ne e kemi kritikuar me forcë qeverinë, që të marrë masat e nevojshme për përmirësimin e situatës. Kur i hedhim një vështrim statistikave ndërkombëtare, Turqia është në krye të vendeve përsa i përket akidenteve në minierat e qymyrgurit. Për shembull, në Kinë numri i minatorëve të vrarë është 1,27 për 1 milion ton; e njëjta shifër në Turqi është 5 herë më e lartë. "

Por Ankaraja po përballet me një realitet të vështirë ekonomik. Ekonomia turke me nevoja të mëdha energjitike ka pak burime nafte dhe gazi natyror, por ka qymyr me shumicë. Zhvillimi i industrisë së qymyrit, me synim pakësimin e varësisë tek energjia e importuar e kushtueshme, është një përparësi e rëndësishme e qeverisë. Ankaraja po i kërkon ndihmë Katarit për një projekt rreth $12 miliardë dollarësh për zhvillimin e fushave qymyrgurore në jug të vendit.

Ministri i Energjisë Yildiz ka premtuar se Turqia, krahas me pjesën tjetër të botës, do të nxjerrë mësime nga aksidenti në Soma. Megjithatë, vitin e kaluar, Yildiz e lavdëroi minierën Soma për kushtet e sigurisë dhe aftësinë prodhuese. Pronarët e minierës thonë se e kanë pakësuar koston e qymyrit me 75 për qind që nga koha e privatizimit të saj.

Pas fatkeqësisë në minierën e Somas, qeveria mund të ndeshet me thirrje përherë e më të mëdha për të shqyrtuar përparësitë e saj, kur është fjala për prodhimtarinë dhe kushtet e sigurisë në minera.
XS
SM
MD
LG