Lidhje

Turqia paraqitet si ndërmjetëse në krizën e Libisë

  • Dorian Xhouns

Turqia paraqitet si ndërmjetëse në krizën e Libisë

Turqia paraqitet si ndërmjetëse në krizën e Libisë

Me shkallëzimin e vazhdueshëm të luftimeve në Libi, Turqia po intensifikon përpjekjet e saj për të gjetur një zgjidhje politike të konfliktit. Ajo është një nga vendet e pakta që ende i ka të hapura si ambasadën në kryeqytetin e Libisë, Tripoli, ashtu edhe konsullatën në Bengazi, qendër e opozitës kryengritëse.

Diplomati i lartë turk, Selim Jenel, thotë se një zgjidhje politike është tejet e rëndësishme për Libinë.

“Turqia po flet tani me të dy palët dhe ne besojmë se jemi një nga vendet e pakta që mund të bisedojnë me të dyja palët. Në fund të fundit, kjo është zgjidhja e vetme. Përndryshe, do të shkallëzohen veprimet ushtarake që do të prekin akoma më shumë njerëz, të cilët do të duhet t’i ndihmojmë. Dhe ne besojmë se zgjidhja diplomatike është një rrugëdalje”.

Kryeministri turk Rexhep Tajip Erdoan ka pasur marrëdhënie të mira me udhëheqësin libian Muamar Gadafi dhe deri kohët e fundit ka kundërshtuar fuqishëm ndërhyrjen ushtarake dhe në veçanti përfshirjen e NATO-s. Mirëpo zoti Erdoan ka ndryshuar qëndrim dhe duke mbështetur NATO-n po i bën thirrje Gadafit që të dorëzojë pushtetin.

Ndonëse mospërputhje të tilla mund të hedhin dyshime mbi objektivitetin e Turqisë, korrespondenti diplomatik Semih Idiz thotë se Turqia është në një pozitë të veçantë për të ndërmjetësuar.

“Është fakt që Turqia ka aftësi unike, meqë është vend islamik dhe njëkohësisht anëtare e NATO-s, kështu që një gjë e tillë mund të jetë e realizueshme. Por sigurisht, nëse je i gatshëm të ndërmjetësosh, nuk varet nga ti, por nga njerëzit mes të cilëve do të ndërmjetësosh, nëse do të të pranojnë”.

Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Xhengiz Aktar nga Universiteti Bahçeshehir i Stambollit, thotë ndërmjetësimi do të jetë i vështirë, por se çështja më madhore është e ardhmja në rast se bie nga pushteti Gadafi.

“Nuk ka opozitë libiane të strukturuar; nuk ka struktura në Libi. Ky është një problem i madh pasi të përmbyset Gadafi. Çfarë do të ndodhë, askush nuk e di. Pra, kjo është recetë për kaos”.

Si Kryeministri turk Erdoan ashtu dhe Presidenti Abdullah Gyl kanë paralajmëruar se Libia mund të kthehet në një tjetër Irak apo Afganistan. Të dy udhëheqësit gjithashtu kritikuan ashpër Francën për mbështetjen e fuqishme të sulmeve ajrore.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Turqisë, Selim Jenel, thotë se Franca nxitoi të përdorte armët, duke dëmtuar çdo mundësi për zgjidhje politike.

“Ne ishim në kontakt me të dyja palët. Kryeministri ynë foli tri herë me Gadafin. Por, për fat të keq, sulmet ushtarake filluan shumë shpejt. Fatkeqësisht, francezët nuk bashkërenduan veprimet me ne në asnjë mënyrë. Po të mos kishin vepruar ashtu, ne do të mund të përdornim kërcënimet ushtarake për të detyruar Gadafin që të pranonte një zgjidhje politike.”

Franca pohon se po të mos kishte vepruar me shpejtësi, në Libi do të pasonte gjakderdhja.

XS
SM
MD
LG