Lidhje

Turqia përdor çështjen e Qipros për të rritur fuqinë në rajon


.
.

Kryeministri turk Reçep Tajip Erdogan po shton tensionet me Qipron lidhur me kërkimet e këtij vendi për burimet e gazit natyror dhe naftës, në detin Mesdhe. Së fundi, ai sulmoi edhe një herë si Nikozinë ashtu edhe komunitetin ndërkombëtar.

Qiproja greke është duke vepruar në mënyrë provokuese me anë të shpimeve, dhe institucionet, misioni i të cilave është të ruajnë paqen, po heshtin, tha ai. A është kjo mënyra e zgjidhjes së problemeve?

Ankaraja thotë se çdo eksplorim i ndërmarrë nga Nikozia duhet të kryet në bashkëpunim me qeverinë e Qipros turke, e cila është e njohur vetëm nga Turqia. Ky qëndrim nuk është pranuar nga Bashkimi Evropian.

Zoti Erdogan ka kërcënuar se do të dërgojë anije ushtarake në rajon, ndërkohë që debati diplomatik përkeqësohet. Por eksperti i marrëdhënieve diplomatike, Cengiz Aktar, i Universitetit Baçesehir të Stambollit thotë se Ankaraja ka edhe qëllime të tjera.

“Nuk mendoj se bëhet fjalë vetëm për Qipron në këtë rast, por është padyshim një shfaqje force. Qeveria ndihet mjaft e sigurtë, ndoshta tepër e sigurtë, dhe do të donte të sfidonte në veçanti shtetin e Izraelit, në rajonin e Mesdheut lindor. Por nëse ata dinë apo jo sesi t’a bëjnë një gjë të tillë, është një çështje tjetër.”

Ankaraja po nis një luftë diplomatike kundër ish-aleatit të saj, Izraelit, për shkak të vrasjes nga ana e këtij të fundit të aktivistëve turq që tentuan të kalonin bllokadën izraelite në Gaza. Qysh atëherë, Izraeli ka krijuar marrëdhënie të ngushta me qeverinë e Qipros greke, duke nënshkruar vitin e shkuar një protokoll mbi kërkime për energjinë në detin Mesdhe.

Nënsekretari i Ministrisë së Jashtme turke Selim Yenel pranon se situata e ndërlikuar me Qipron përfshin edhe Izraelin.

“Ne jemi në dijeni se po diskutohet për të patur një zonë të përbashkët midis Izraelit dhe Qipros greke. Pra, kjo do të thotë se një gjë e tillë duhet diskutuar më tej dhe se ne nuk mund t’a pranojmë thjesht në mënyrë të njëanshme.”

Eksperti grek i marrëdhënieve ndërkombëtare, Janis Grigoriadis, i Universitetit Bilkent në Ankara thotë se një aleat kaq i fortë sa Izraeli, i ka dhënë kurajo Qipros greke në qëndrimet e saj ndaj Turqisë.

“Mendoj se ata mbështeten mjaft në ndihmën izraelite për përfundimin e kërkimeve të naftës dhe gazit natyror në Mesdheun jug-lindor. Duket se kanë fituar siguri mbi faktin se Turqia nuk do të donte të rrezikonte fillimin e një konflikti të nxehtë me Izraelin në Mesdheun jug-lindor.”

Për momentin, asnjëra nga palët nuk duket të jetë gati për t’u tërhequr. Nikozia është përgjigjur se do të vëjë veton kundër anëtarësimit të Turqisë në BE, por një kërcënim i tillë duket bosh pasi anëtarësimi i Ankarasë është pothuajse i bllokuar qysh tani.

Ish diplomati turk Sinan Ulgen thotë se kriza e tanishme është shenjë e ambicjeve të reja të Ankarasë dhe të rreziqeve që ato paraqesin për aleatët e saj perëndimorë.

“Ajo që po shohim sot, është një transformim i Turqisë prej një anëtari pothuajse të bindur të komunitetit perëndimor, që po i mundësonte anëtarësimin me të drejta të plota në Bashkimin Evropian, në një fuqi rajonale ambicioze dhe kategorike."

Zoti Erdogan ka mbështetur me sukses lëvizjen Pranvera Arabe në Afrikën veriore dhe Lindjen e Mesme. Kryeministri turk ka lënë të kuptohet gjithashtu se vendi i tij mund të ndërmarrë masa ndëshkuese kundër Sirisë, bashkë me aleatët perëndimorë kundër përgjigjes së dhunshme të Damaskut ndaj protestuesve.

Por analistët pyesin nëse zoti Erdogan është në dijeni të kufizimeve të politikës së jashtme të vendit të tij. Ja si u shpreh analisti Aktar.

“Turqia, qysh prej vitit 1923, po anashkalonte tepër çështjet e Lindjes së Mesme dhe tani po rizbulon rajonin. Është mungesë e kujtesës institucionale pasi kujtesa akademike nuk ka burime njerëzore të mjaftueshme për të njohur dhe kuptuar në thellësi rajonin. Prandaj Turqia po shfrytëzon momentin për të treguar forcën. Por ai që tregon forcën duhet edhe të dijë kur të ndalë.”

Pak njerëz parashikojnë se kriza aktuale midis Turqisë dhe Qipros do të përshkallëzohet në një konflikt të plotë. Por, ndërkohë që Ankaraja vazhdon retorikat e ashpra me premtimet për shtimin e pranisë së anijeve ushtarake në rajon, rreziku për këtë konflikt mbetet.

XS
SM
MD
LG