Lidhje

Turqia intensifikon presionin kundër kurdëve në Siri


Turqia po shton presionin mbi forcat kurde në Siri, gjë që mund ta vërë Ankaranë në pozitë konfliktuale me aleatët perëndimorë. Media lokale njofton se prokurorët turq kanë nxjerrë një urdhër-arresti në shkallë ndërkombëtare për Salih Muslim, udhëheqës i Partisë Demokratike Kurde, PYD, në Siri.

Autoritetet turke e lidhin Salim Muslimin me sulmin vetëvrasës të kryer në shkurt në Ankara, që besohet se u krye nga një grup i jashtëligjshëm, i lidhur me partinë kurde siriane PYD. Nxjerrja e urdhër-arrestit mund t’i vërë në pozitë të vështirë aleatët evropianë të Turqisë.

Udhëheqësi i Partisë PYD është ftuar shpesh nga qeveritë evropiane dhe partia e tij, si dhe krahu i saj ushtarak YPG shihen nga aleatët perëndimorë të Turqisë si forcat më të efektshme kundër ISIS. Por Ankaraja akuzon si PYD, ashtu edhe grupin paraushtarak YPG për lidhje me Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit, PKK.

Të mërkurën, Presidenti turk Reccep Tayyip Erdogan sulmoi Bashkimin Evropian për mbështetjen që u japin forcave kurde në Siri, duke e cilësuar si mbështetje për terrorizmin. Një ditë më parë, zoti Erdogan tha se forcat ushtarake turke në Siri do të intensifikonin operacionet kundër YPG.

Një kërcënim i tillë në një moment kritik të luftës kundër ISIS pritet të shkaktojë shqetësim në Uashington.

Më parë këtë muaj YPG ndërmori një ofensivë për të marrë qytetin sirian të Rakës që shërben si kryeqytet i territorit të ISIS. Disa vende perëndimore kanë dërguar forca speciale për të ndihmuar YPG, ndërsa Shtetet e Bashkuara i mbështesin operacionet e këtij grupi me goditje nga ajri.

Këto operacione janë në kundërshtim me synimet e Ankarasë:

“Ne e kemi bërë të qartë se nuk duam përfshirjen e PYD apo YPG në operacionin e Rakës,” tha Ayse Sozen Usluer, shefja për marrëdhëniet me jashtë në kabinetin e Presidentit Erdogan.

Turqia ka thënë se do të fillojë një operacion për qytetin Manbij, i cili u mor nga forcat e YPG këtë vit, pas betejës për të dëbuar forcat e ISIS.

Ankaraja këmbëngul se Manbij nuk është qytet me rëndësi strategjike dhe se forcat YPG e morën në kuadër të strategjisë për të vënë nën kontroll qytete me shumicë arabe dhe për t’i spastruar etnikisht. YPG e hedh poshtë këtë akuzë. Zyrtarët turq thonë se operacionet e Ankarasë në Siri kundër Shtetit Islamik dhe YPG-së gjejnë mbështetje të fortë nga popullata lokale siriane.

YPG thotë se është tërhequr nga Manbij për t’iu bashkuar përpjekjeve për marrjen e Rakës. Ankaraja e ka vënë haptazi në pikëpyetje këtë pretendim.

Nëse forcat turke futen në Manbij, shumë njohës të rajonit thonë se situata mund të acarohet, pasi popullata vendase nuk do elementë të mbështetur nga Turqia të marrin në dorë qytetin. YPG ka paralajmëruar se do të braktisë operacionet kundër Rakës nëse forcat turke përparojnë drejt Manbij.

Por ka shumë analistë në Turqi që i shohin kërcënimet e Erdoganit për të marrë Mandijin si retorikë boshe.

Vëzhguesit thonë se komentet e fundit të Erdoganit kundër forcave kurde në Siri mund të jenë nxitur nga zhvillimet e brendshme në Turqi. Këto komente intensifikojnë mbështetjen e nacionalistëve, të cilët po përpiqet t’i tërheqë pas vetes presidenti turk në përpjekje për ta kthyer vendin në sistem presidencial.

Por me shtimin e forcave turke të dërguara në Siri dhe pas vizitës që zhvilloi kohët e fundit kreu i forcave të armatosura turke për të parë përforcimet ushtarake në kufi me Sirinë, vëzhguesit thonë se situata është mjaft e ndezur dhe mund të jetë shqetësuese për vende perëndimore që shohin tek Turqia një aleate të paparashikueshme.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG