Lidhje

Operacionet turke në Siri zgjojnë shqetësim


Një javë pasi ushtria turke ndërmori një inkursion në Sirinë veriore, vëzhgues vendas e të huaj po pyesin kur do të përfundojë operacioni. Objektivi zyrtar i operacionit “Mburoja e Eufratit” është “dëbimi i terroristëve nga kufiri turk, por kjo frazë është tepër e paqartë dhe ka zgjuar spekulime për synimet afat-gjata të Ankarasë.

Forcat turke që mbështesin elementë të Ushtrisë për Çlirimin e Sirisë po vazhdojnë operacionet kundër Shtetit Islamik dhe kundër grupeve paraushtarake kurde që gëzojnë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe veprojnë në Siri.

Ankaraja nuk ka dhënë ndonjë shpjegim se kur mund të përfundojë operacioni. “Operacioni synon të luftojë ISIS dhe të gjitha organizatat terroriste, përfshirë grupet paraushtarake kurde në Siri (YGP) si dhe të pastrojë zonën kufitare nga terroristët për të garantuar sigurinë kufitare,” tha dje Ibrahim Kalin, zëdhënës i Presidentit Recep Tayyip Erdogan.

Ministri i Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu tha se operacioni synon gjithashtu të pengojë grupet kurde të YPG që të mos marrin territore të reja, që mund të rezultojnë në bashkimin e krahinave të Kobanit dhe Afrinit, duke krijuar një territor të kontrolluar nga YPG në kufirin turk.

Ankaraja e konsideron YPG si një degë e Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit, PKK, një organizatë që lufton kundër shtetit kurd dhe që Turqia e ka nxjerrë jashtë ligji.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Ash Carter i bëri thirrje këtë javë Turqisë të qëndrojë e përqëndruar tek ISIS dhe jo tek forcat kurde.

XS
SM
MD
LG