Lidhje

Turqi: Analizë mbi humbjen e AKP-së


Bisedimet për krijimin e një koalicioni qeverisës do të dominojnë në Turqi në javët e ardhshme pasi votuesit prishën planet e Presidentit Rexhep Tajip Erdogan për të fituar shumicën prej dy të tretash, e mjaftueshme për të ndryshuar kushtetutën dhe për zgjeruar kontrollin e tij mbi pushtetin. Zgjedhjet parlamentare të së dielës i dhanë goditjen më të madhe partisë së zotit Erdogan, Partia për Drejtësi dhe Zhvillim, AKP, që kur ajo mori pushtetin në vitin 2002. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Dorian Jones njofton nga Stambolli.

Presidenti turk nuk ka folur publikisht mbi humbjen e partisë së tij, AKP, por, në një deklaratë me shkrim, ai deklaroi se opinioni i vendit qëndron mbi çdo gjë tjetër, dhe se të gjitha palët duhet të vlerësojnë gjendjen e tyre realisht. Toni pajtues i zotit Erdogan ishte në kontrast të fortë me atë të partive opozitare dhe udhëheqësve të tyre në ditët para zgjedhjeve.

Analisti politik, Cengiz Aktar i Universitetit Sulejman Shah të Stambollit thotë se denoncimi i presidentit si një autokrat nga kundërshtarët e tij, është një nga pengesat kryesore të formimit të një koalicioni qeverisës.

"Do të jetë shumë e vështirë të krijohet një qeveri koalicioni me AKP-në si partnere kryesore dhe me zotin Erdogan i cili do të kontrollonte dhe drejtonte atë. Dhe gjëja e dytë është se çdo partner i vogël qeveritar do të duhej t’i jepte llogari votuesve të tyre për një veprim të tillë. Në fund të fundit, këto parti ishin shumë të ashpra kundër pushtetit të zotit Erdogan-së".

Partneri më i mundshëm i koalicionit është Partia e ekstremit të djathtë, Partia e Veprimit Kombëtar ose MHP. Dy partitë besohet se kanë mbajtur bisedime joformale përpara zgjedhjeve. MHP konkurroi me një platformë që ka për synim përfundimin e procesit të paqes me grupin rebel kurd, PKK.

Studuesi politik Yuksel Taskin i Universitetit Marmara thotë se AKP mund të dëmtojë më tej popullaritetin e saj nëse hynë në koalicion me partinë MHP.

"AKP u godit rëndë në masë të madhe nga humbja e votuesve kurdë. Një koalicion ose qeverisje dy-partiake me partinë MHP, do të sillte vdekjen, ose të paktën ngrirjen e procesit të paqes. Kjo do të kontribuonte në humbjen e mëtejshme të votave të kurdëve për AKP-në".

Analistët gjithashtu thonë se një koalicion i tillë nuk ka gjasa të jetë i qëndrueshëm. Sinan Ulgen, një analist i Institutit Karnegi në Bruksel, thotë se Turqia mund të hyjë në një epokë të re politike.

"Qendrueshmëria që ka gëzuar vendi në vitet e fundit do të mund të jetë pjesë e së kaluarës. Çfarëdo koalicioni që do të krijohet, ka shumë të ngjarë që të shtojë presionin për organizim të zgjedhjeve të parakohshme".

Disa analistë parashikojnë se zgjedhje të reja parlamentare do të mund të organizoheshin në fillim të shtatorit. Por duke marrë parasysh rënien e madhe në tregjet financiare të Turqisë të hënën, udhëheqësit e partive mund të jenë të kujdesshëm ndaj një paqëndrueshmërie të gjatë politike.

Analisti politik Taskin përmend një çështje praktike që mund të pengojë organizimin e zgjedhjeve.

"Unë nuk besoj se shumica e deputetëve do të ishin në favor të organizimit të zgjedhjeve të reja, sepse për të fituar të drejtën e daljes në pension ata do duhet të qëndrojnë në parlament për dy vjet. Pra, ky është shqetësimi themelor i deputetëve të sapo zgjedhur. Secili deputet mendohet se mesatarsisht ka shpenzuar më shumë se 350,000 dollarë për t'u zgjedhur".

Numan Kurtulmus, një anëtar i AKP-së me ndikim i cili thuhet se mund të jetë udhëheqës i partisë në të ardhmen, ka përjashtuar organizimin e zgjedhjeve të parakohshme të paktën tani për tani, duke thënë se partia e tij është duke u përqëndruar në formimin e një qeverie. Analistët thonë se AKP është e vetëdijshme se zgjedhjet e parakohshme mund t’u shkaktojnë një humbje tjetër. Partia ka gjithashtu gjasa të jetë e zënë me analizimin e rezultateve të zgjedhjeve të së dielës, dhe ndoshta brenda partisë mund të ketë thirrje për një ndryshim në drejtimin politik dhe madje edhe ndryshim të udhëheqjes.

XS
SM
MD
LG