Lidhje

Dubai, qendër globale e shitjes së arit


Me të drejtë, Dubai njihet si qyteti i arit. Vitin e kaluar Dubai ka tregtuar 1 mijë e 200 ton ar me vlerë të përgjithshme prej 56 miliardë dollarësh. Sipas autoriteteve doganore të Dubait ari është eksporti më fitimprurës pas naftës. Pavarësisht nga fakti se ari nuk nxirret atje, Dubai tani është qendra me rritjen më të shpejtë të tregtisë së arit në botë.

Për më shumë se një shekull tregtarët i kanë mbushur tregjet e hapura në Dubai në kërkim të erëzave, perlave dhe arit.

Dubai, i ndodhur në udhëkryqin mes Afrikës dhe Azisë, ka qenë prej kohësh një qendër e madhe tregëtare. Tregtarë nga e gjithë bota mblidhen për të shkëmbyer ar për erëza, hurma dhe perla.

Politikat e tregtisë së lirë kanë inkurajuar sipërmarrësit nga India dhe Irani të hapin dyqane në Dubai dhe shumë shpejtë vendi u shndërrua në një qendër të madhe tregtare.

Sot Dubai është një nyjë e rëndësishme për konsumatorët e mëdhenj nga Kina, India dhe Afrika e pasur me ar.

“Më 2003 vlera e tregëtisë së arit ishte rreth gjashtë miliardë dollarë, në vitin 2011 arriti në 56 miliardë dollarë në vit. Nuk ka dyshim se pozita gjeografike e Dubait është faktorë i rëndësishëm por edhe rëndësia që ky vend ka për qendrat tjera tregëtare, për prodhuesit tjerë të bizhuterive si Hong Kongu, Malajzia, Kuvajti dhe India, luan një rol të rëndësishëm”.

India është konsumatori më i madh në botë i arit, e pasuar nga Kina. Gjatë dekadës së kaluar kërkesa për ar në Indi është rritur me rreth 13 për qind në vit.

Dubai nuk ka taksë mbi arin dhe kjo e ka bërë atë një nga vendet me çmimet më të ulëta të arit në botë dhe është e lehtë të udhëtosh në këtë vend sepse ka lidhje të mira transporti.

Si rezultat, sipas autoritetit të doganave në Dubai, ari tani është mes mallrave që kanë nivelin më të lartë të eksportit dhe importit në vend.

Dubai ka shfrytëzuar pozitën e tij gjeografike duke ndërtuar fabrika për përpunimin e arit dhe prodhimin e bizhuterive.

Pjesa më e madhe e arit që vjen në Dubai janë copëza të papërpunuara metali që importohen kryesisht nga India. Pastaj, këto copëza ari shkrihen dhe përpunohen në kallëpe me standart të lartë të pastërtisë prej 24 karatësh.

Fabrikat e arit në Emiratet e Bashkuara Arabe përpunojnë deri në 200 ton ar në vit.

Bursa e mallrave të Dubait, e themeluar nga nga qeveria në vitin 1992 ka krijuar një zonë të lirë tregtare, e cila promovon Dubain si një qendër tregtare globale e arit.

“Dubai është një nyje e rëndësishme lidhëse e cila mund të quhet rruga e re e mëndafshit mes vendeve prodhuese të Afrikës dhe vendeve të tjera konsumuese”, thotë Malcolm Wall Morris, drejtori i bursës së mallrave.

Ari nuk shitet vetëm si një mall fizik. Tregu i shkëmbimit të arit dhe mallrave në Dubai mundëson shkëmbimin e tij nga gjithë bota. Tregu i aksioneve të arit është i hapur nga ora 6 deri në orën 23 dhe është një nga tregjet e pakta në botë që mund të kap çdo zonë kohore nga Australia deri në bregun përëndimor të Shteteve të Bashkuara.

Ari i Dubait është pa taksë dhe 600 dyqanet e shitjes së arit në vend ofrojnë zgjedhje të larmishme të produkteve të arit. Në tregun e hapur të arit janë ndërtuar 300 dyqane në një hapësirë prej kilometër e gjysmë katror.

Duke marrë parasysh se njerëz të kombësive të ndryshme jetojnë në Dubai, dyqanet ofrojnë bizhuteri ari me dizenjo dhe çmime të larmishme.
Shumë turistë, biznesmenë të huaj dhe gra vizitojnë këtë treg.

“Dubai ka koleksione të mira dhe ka varietete nga e gjithë bota. Koleksionet e arit janë me cilësi të mirë dhe kjo është ajo që mua më pëlqen këtu”, thotë K Ajoy, nga qyteti Siatëll i Shteteve të Bashkuara.

Ndërkohë konsomutorja nga Lagosi i Nigerisë thotë:

“Këtu mund të gjejë atë që dua, bizhuteri unike dhe me mbishkrime. Mund t’u them atyre atë që dua dhe ata e bëjnë gati për mua”.

India dhe Kina pritet të rrisin importet e tyre të arit gjatë viteve të ardhshme, kështu që mundësitë për shitësit e arit në Dubai janë premtuese.

XS
SM
MD
LG