Lidhje

Uashington, fillojnë bisedimet izraelito-palestineze të paqes

  • Zëri Amerikës

Udhëheqësit izraelitë dhe palestinezë filluan sot raundin e parë të bisedimeve të drejtpërdrejta të paqes në dy vjet dhe ranë dakort për një raund të dytë në mesin e shtatorit. Përfaqësuesi i posaçëm amerikan Xhorxh Miçëll tha se kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu dhe presidenti palestinez Mahmud Abas kanë patur bisedime të frytshme dhe kanë rënë dakort të takohen përsëri në rajonin e Lindjes së Mesme me 14 dhe 15 shtator. Zoti Miçëll thotë se ka shumë vështirësi përpara, por se të dy udhëheqësit kanë rënë dakort të krijojnë një atmosferë besimi. Gjatë një deklarate në hapje të bisedimeve sot, zoti Netanjahu tha se paqja afatgjatë mes Izraelit dhe palestinezëve do të kërkojë lëshime të mëdha nga të dy palët. Ai tha se Izraeli kërkon garanci sigurie nga palestinezët dhe njohjen e të drejtës së Izraelit për të ekzistuar. Zoti Abas tha se palestinezët duan paqe. Ai i bëri thirrje Izraelit t’i japë fund ndërtimeve të vendbanimeve dhe bllokadës në Gaza.

Në komentet gjatë ceremonisë së hapjesë së bisedimeve, Sekretarja e Shtetit u bëri thirrje skeptikëve që të bashkohen në këtë përpjekje. Tani, tha ajo është rasti për të ndihmuar në dobi të progresit.

Ajo tha se Shtetet e Bashkuara kanë premtuar mbështetje të plotë për këto bisedime dhe theksoi se Amerika do të jetë një partnere aktive dhe e qëndrueshme.

Zonja Klinton i shprehu besimin kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu dhe Presidentit palestinez, Mahmut Abas se ata mund t’ia arrijnë qëllimit.

Ajo tha se kjo është në interesin e sigurisë së Shteteve të Bashkuara por theksoi se Shtetet e Bashkuara nuk mund dhe nuk do të përpiqen të imponojnë një zgjidhje.

“Vetëm ju mund të merrni vendimin e nevojshëm për të arritur një marrëveshje dhe të siguroni një të ardhme paqësore për popullin izraelit dhe palestinez,” tha Sekretarja e Shtetit.

Mbrëmë, pas bisedimeve që patën veç e veç në Shtëpinë e Bardhë me Presidentin Obama, Zoti Netanjahu dhe Zoti Abas shprehën që të dy përkushtimin ndaj përpjekjeve të paqes.

Ndërkohë, në komentet e saj, zonja Klinton tha se për shumë nga pjesmarrësit, ky nuk është udhëtimi i parë drejt tryezës së bisedimeve.

“Ne kemi qenë këtu më parë dhe e dimë sa e vështirë do të jetë rruga përpara nesh. Me siguri që do të ketë pengesa dhe hapa prapa. Ata që e kundërshtojnë çështjen e paqes do të përpiqen me çdo mënyrë për ta sabotuar procesin siç e kemi parë këtë javë,” tha zonja Klinton.

Ajo u bëri thirrje dy udhëheqësve që të ecin përpara me mirëbesim dhe të mos lëkunden në përkushtimin e tyre për të arritur suksesin në emër të popujve të tyre. Zonja Klinton përsëriti se çështjet kryesore mes dy palëve mund të zgjidhen brenda një viti dhe tha se ideja e zgjidhjes me dy shtete është e vetmja rrugë drejt një paqeje të qendrueshme.

Ajo iu drejtua dy udhëheqësve me fjalët se ata kanë shansin për t’i dhënë fund konflitit dhe armiqësisë një herë e mirë.

Zonja Klinton tha se në fund të fundit do të jenë populli izraelit dhe ai palestinez që do të vendosin të ardhmen e tyre dhe u bëri atyre thirrje për durim.

XS
SM
MD
LG