Lidhje

Shtohen thirrjet për hetime mbi rolin e Rusisë


Në Uashington, po shtohen thirrjet nga të dyja partitë për një hetim të pavarur mbi përpjekjet e Rusisë për të ndikuar në zgjedhjet amerikane dhe mbi çdo lidhje mes Moskës dhe rrethit të ngushtë të presidentit Donald Trump. Shtëpia e Bardhë po përpiqet të shmangë shkallëzimin e polemikave, ndërkohë që presidenti përgatitet të flasë për herë të parë përpara Kongresit.

Në fjalimin e përjavshëm të shtunën, presidenti Donald Trump foli për mesazhin që do të japë nesër mbrëma mbi ekonominë.

"Ne do të punojmë për të rikthyer vendet e punës, e kam fjalën për vende pune të paguara mirë."

Por vemendja vazhdon të jetë tek probleme të tjera të mëdha, si Rusia.

"Ne duhet të hetojmë aktivitetet e tyre dhe duhet ta bëjmë këtë, sepse janë njerëz të këqij," shprehet Kongresmeni republikan Darrell Issa, i cili u është bashkuar demokratëve në thirrjet për një hetues të posaçëm, të pavarur nga Prokurori i Përgjithshëm Jeff Sessions, që është njeri i besuar i zotit Trump.

"Zoti Jeff Sessions ishte mbështetës i zotit Trump në fushatë, prandaj duhet një hetues i posaçëm. Nuk mjafton vetëm tërheqja e zotit Sessions, çështja nuk mund t’i lihet as zëvendësit të tij,” tha zoti Issa.

"Jemi jashtëzakonisht të sigurt se, çfarëdo hetimi që të bëhet, ata të gjithë do të arrijnë në të njëjtin përfundim; se ne nuk jemi përfshirë në një ndërhyrje të rusëve në zgjedhje,” tha një zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë.

Shtëpia e Bardhë thotë se është koha për ta lënë pas këtë çështje.

"Vjen një pikë kur ne duhet të ecim përpara dhe të përqendrohemi te gjërat që i interesojnë popullit amerikan. Kemi folur kaq herë për këtë çështje, jemi pyetur dhe jemi përgjigjur."

Por demokratët nuk pajtohen.

"Prokurori i Përgjithshëm duhet të tërhiqet vetë nga hetimi. Le të bëhet një hetim për të gjetur të vërtetën," thotë demokratja Nacy Pelosi.

Disa komisione të Kongresit të udhëhequra nga republikanët kanë filluar të hetojnë rreth aktiviteteve ruse.

"Le të shohim si do të shkojë. Debatet janë mënyra e duhur për të vazhduar," thotë kongresmeni republikan Jim Jordan.

Ndërkohë, Presidenti Trump nuk po e fsheh zemërimin rreth kësaj polemike që nuk po i ndahet si dhe rreth mbulimit të saj nga mediat.

XS
SM
MD
LG