Lidhje

Koncert ndërfetar në Uashington


Sulmet terroriste në Paris nga militantë të Shtetit Islamik janë aktet më të fundit të dhunës së një grupimi që thotë se Perëndimi është në luftë me Islamin. Mungesa e tolerancës fetare dhe pamundësia për bashkëekzistencë janë në thelb të kësaj ideologjie ekstremiste. Për dekada me radhë, Konferenca Ndërfetare në Uashington ka bashkuar besime të ndryshme. Një ndër aktivitetet e saj është edhe një koncert i përvitshëm që kremton të gjitha besimet.

Njerëz nga besime të ndryshme këndojnë dhe kërcejnë së bashku.

“Në sytë e Zotit, emërtimet: të krishterë, hebrenj, myslimanë, sikh dhe budistë, nuk kanë rëndësi. Çfarë ka rëndësi është humanizmi ynë, dashuria dhe përkushtimi për njëri-tjetrin,” thotë Dr. Rajwant Singh, i Fondacionit "Gobind Singh".

Por, gjatë këtij Koncerti të 36-të Ndërfetar në Uashington, në mendjet e të gjithëve ishte Parisi. Aktiviteti filloi me një minutë heshtje.

Koncerti u zhvillua vetëm pak ditë pas sulmeve terroriste në kryeqytetin francez. Të paktën 130 persona u vranë dhe qindra të tjerë u plagosën.

“Ka njerëz që po përpiqen të shfrytëzojnë dallimet ndërmjet njerëzve për të shkaktuar dhunë,” thotë Rabini Gerry Serotta.

Shumë nga të pranishmit mendojnë se mungesa e tolerancës fetare është një ndër faktorët e sulmeve.

“Intoleranca po ngjallet nga njerëz që kanë frikë se të tjerët do t’u zënë vendin e tyre në univers. Por, kjo nuk ndodh, pasi Zoti ka krijuar vend për të tërë,” thotë Dr. Singh.

Njerëzit në koncert thonë se kjo gjithëpërfshirje dallon gjithashtu nga ato që u thanë në Kongresin amerikan.

Pasi policia gjeti një pasaportë siriane që mendohet se i përkiste njërit prej terroristëve në Paris, Dhoma e Përfaqësuesve miratoi një ligj që do ta bëjë më të ashpër proçesin e kontrollit të refugjatëve sirianë. Po kështu, mbi gjysma e guvernatorëve të shteteve amerikane thanë se nuk do të pranojnë refugjatë në shtetet e tyre. Rabini Serotta thotë se këta politikanë po kundërshtojnë edhe vlerat e vetë besimit të tyre fetar.

“Mendoj se është e turpshme, kundër besimit dhe vlerave të Amerikës. Unë nuk jam shkencëtar politik, por mendoj se ata që po sulmojnë në Francë dhe në Liban, duan që reagimi ynë të jetë i tillë,” shprehet Rabin Serotta.

Pra, në këto kohëra të vështira, myslimanë, të krishterë, mormonë, hebrenj, sikh dhe të tjerë nga besime të ndryshme, mblidhen në këtë koncert të përvitshëm për të kremtuar besimet e tyre të ndryshme.

“Lumenjtë, liqenet, përrenjtë kanë të gjithë emra të ndryshëm, por të gjitha përmbajnë ujë. Ne kemi emërtime të ndryshme, por të gjithë kemi shpirtin njerëzor,” thotë Imam Talib Shareef, i Xhamisë "Masjid Muhammad".

Edhe në kohëra kur besimi mund të përçajë, ky koncert tregon se është e mundur bashkëjetesa për të gjithë.

XS
SM
MD
LG