Lidhje

Uashington: Konferencë për pjesmarrjen e grave në Shërbimin Publik

  • Ardita Simiçia

Uashington: Konferencë për pjesmarrjen e grave në Shërbimin Publik

Uashington: Konferencë për pjesmarrjen e grave në Shërbimin Publik

Departamenti amerikan i Shtetit prezantoi dje nismën e re “Gratë në Shërbimin Publik”, një projekt që u themelua në bashkëpunim me 5 universitete prestigjoze amerikane për të rritur numrin e grave në poste drejtuese. Projekti synon të trajnojë dhe përgatisë aktiviste nga vende në zhvillim për të fituar aftësitë e nevojshme për role udhëheqëse.

Nisma “Gratë në Shërbimin Publik” ka si objektiv shtimin e numrit të grave në nivelet e vendim-marrjes si një ndër mënyrat më efektive për të ndërtuar shoqëri të begata dhe të qëndrueshme. Në bashkëpunim me 5 universitete amerikane me traditë, të themeluara në shekullin e 19 për t’u ofruar arsim të lartë vajzave amerikane, Departamenti i Shtetit do të financojë trajnimin e grave e vajzave që janë të aktivizuara në role drejtuese në nivel lokal, shtetëror dhe ndërkombëtar, për t’i pajisur ato me aftësitë e nevojshme drejtuese.

Projekti, i krijuar me iniciativë të Sekretares së Shtetit Hillari Klinton solli në Uashington mbi 700 aktiviste, drejtuese dhe studiuese të çështjeve gjinore. Sekretarja Klinton, e cila mbajti fjalimin kryesor në aktivitet, shprehu mirënjohjen e saj për punën e pjesëmarrësve duke i cilësuar si forcë ndryshimi jo vetëm në mjedisin ku veprojnë, por edhe në të gjithë botën, pasi po ndihmojnë të thyejnë tabutë që kanë ekzistuar prej shekujsh.

Ndër pjesëmarrëset ishte edhe zonja Ahtifete Jahjaga, Presidente e Kosovës. Sekretarja e Shtetit, Klinton, e përmendi në veçanti zonjën Jahjaga në fjalën e saj:

“Kam respekt të veçantë për Presidenten e Kosovës, për kurajon dhe udhëheqjen që ka treguar në vendin e saj. Pak kohë me parë, zonja Jahjaga mbajti fjalimin e parë para parlamentit të vendit, ku propozoi ngritjen e një komisioni presidencial për të luftuar korrupsionin”.

Presidentja e Kosovës ishte një ndër pjesëmarrëset që e morën dje fjalën në aktivitet. Zonja Jahjaga ishte edhe një ditë më parë në Departamentin e Shtetit, ku u takua me Sekretaren e Shtetit Klinton për të nënshkruar një marrëveshje dypalëshe për mbrojtjen e objekteve të trashëgimisë kulturore.

XS
SM
MD
LG