Lidhje

Si mund të zgjidhet ngërçi politik në Uashington


Anketat e fundit të opinionit publik tregojnë se amerikanët janë më të irrituar se kurrë me ngërçin politik në Uashington, që shpesh sjell probleme edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara. Zgjidhja për një problem të tillë nuk është e lehtë, por një grup figurash të shquara amerikane u mblodhën kohët e fundit për të diskutuar mënyra praktike që mund t’i ndihmojnë politikanët amerikanë të gjejnë gjuhën e përbashkët.

Në fund të vitit të kaluar një anketë e zhvilluar nga CNN-ORC arriti në përfundimin se 83% e amerikanëve ishin të pakënaqur nga mënyra si po qeveriset vendi. Rezultatet e anketave të tilla ishin shkaku që një grup figurash të njohura nga të dyja partitë kryesore politike, përfshirë ish-udhëheqës të Kongresit, ish-sekretarë departamentash dhe ish-zyrtarë të Shëpisë së Bardhë u mblodhën për të shkëmbyer ide.

Grupi ishte i një mendjeje për shkaqet që po ushqejnë problemet aktuale në Uashington. Demokratët kanë kontrolluar Shtëpinë e Bardhë dhe Senatin gjatë viteve të fundit, ndërsa republikanët kanë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve, gjë që ka krijuar një ngërç të tejzgjatur politik dhe mungesë përparimi për një numër nismash në Kongres.

Gjendja është aq acaruese, sa që disa ligjvënës kanë vendosur të heqin dorë nga Kongresi. Senatorja republikane Olympia Stowe njoftoi se nuk do të konkurronte për t’u rizgjedhur në 2012, pasi ishte velur nga situata e paralizuar.

"E gjithë vëmendja përqëndrohet tek zgjedhjet e ardhshme. Nuk do t’ia dijë njeri se ç’mund të bëjmë për të miratuar politika më të mira e për të zgjidhur problemet. Nuk merret më njeri me zgjidhjen e problemeve. E gjithë loja është se kush arrin të bëjë pikë mbi palën tjetër”.

Vëzhgues të zhvillimeve në Uashington vërejnë se anëtarët e Kongresit më parë shoqëroheshin me njëri-tjetrin dhe kishin kontakte më të afërta me presidentin, i cili i shfrytëzonte grumbullimet sociale dhe takimet personale në përpjekje për të gjetur kompromis për çështjet madhore të ditës.

Sot këto kontakte janë më të rralla mes ligjvënësve nga parti të ndryshme.

Por problemi është më i thellë se thjesht mungesa e dialogut me njëri-tjetrin, thotë ish-senatori republikan Trent Lott nga Misisipi. Zoti Lott ishte udhëheqës i shumicës republikane në Senat gjatë Presidentit Bill Klinton dhe kujton plot beteja politike. Por ai thotë se politikanët sot janë shumë më të investuar në pikëpamjet e tyre dhe më të ngurtë ndaj idesë së kompromisit, gjë që dëmton vendin.

"Duhet kompromis. Përvoja në një detyrë ku ke në dorë marrje vendimesh më ka mësuar se qëndrimi i patundur partiak, ku do që të dalë vetëm fjala jote, nuk lejon përparim në axhendën legjislative. Duhet t’u përmbahesh parimeve, por duhet të jesh edhe pragmatik”.

Por për të kapërcyer këtë situateë në Uashington amerikanët duhet të angazhohen më shumë në procesin zgjedhor dhe politik, thotë ligjvënësi republikan Henry Bonilla nga Teksasi:

"Amerikanët i zgjedhin këta njerëz. Ata, për fat të keq, pasqyrojnë klimën politike aktualisht në vend. Amerika duhet të reflektojë dhe të përpiqet të gjejë një zgjidhje për këtë situatë”.

Diskutimet mbi ngërçin politik u organizuan nga Qendra për Politika Dypartiake dhe gazeta USA Today dhe u zhvillua në Bibliotekën Presidenciale Kennedy në Boston.
XS
SM
MD
LG