Lidhje

Uashington: Nis punimet Forumi Ekonomik për Europën Juglindore

  • Mirela Milori

Në Uashington po zhvillohet Forumi Ekonomik për vendet e Europës Juglindore organizuar nga qendra e marrëdhënieve Transatlantike SAIS, pranë Universitetit Johns Hopkins. Në ditën e parë të këtij forumi u fol për bashkëpunimin ekonomik mes vendeve të rajonit, si dhe qasjen e tyre në tregun Europian. Problemet me të cilat ndeshet rajoni, si papunësia, kriza europiane dhe pasqyrimi i saj në rajon, ishin disa prej temave të cilat do të trajtohen në këtë forum që do t’i zhvillojë punimet e tij deri të mërkurën në datën 28.

Situata ekonomike në Europën juglindore, problemet të cilat e shoqërojnë këtë rajon, dhe mundësia e tërheqjes së investimeve të huaja, janë ndër temat të cilat po trajtohen në forumin ekonomik për vendet e Europës Juglindore këtu në Uashington.

Papunësia, kriza në Europë e cila pasqyrohet në këto vende pasi Europa është tregu kryesor për to, vështirësitë në sektorin e ndërtimit, problemet me regjistrimin e pronave dhe zbatimin e kontratave si dhe situata fiskale e brishtë, ishin pjesë e panoramës ekonomike të vendeve të Europës Juglindor, tek të cilat u ndalën të fturit në ditën e parë të forumit.

Senatorja demokrate Jeanne Shaheen, anëtare e Komisionit për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Europë në Kongresin amerikan, theksoi se 20 vjet pas luftës në Ballkan sot rajoni ka bërë përparime të ndjeshme.

“Kanë kaluar 30 vjet nga shpërbërja e ish Jugosllavia, 12 vjet nga bombardimet e NATO-s në Beograd, por sot vendet e Europës Juglindore po bëjnë hapa të mëdha drejt integrimit europian.”

Të pranishmit theksuan se bashkëpunimi rajonal është një domosdoshmëri për ecjen përpara të gjithë rajonit.

Vendet e rajonit duhet ta shohin njëri-tjetrin si partnerë dhe duhet të mendojnë për përparimin e tij, tha mes të tjerash në fjalën e saj Ambasadorja Kolinda Graber, Ndihmës Sekretare e Përgjithshme e NATO-s për Diplomacinë Publike.

“ Ndonjëherë ne përqëndrohemi në aspektet negative, të cilat tërheqin vëmendjen e medias, të publikut, por bashkëpunimi pozitiv, tregëtia e përditshme, kontakti i njerëzve, janë shumë më të rëndësishme për rrugën ku duhet të eci rajoni. Duke hedhur vështrimin tek bashkëpunini ekonomik ajo që të gjitha vendet e rajonit duhet të bëjnë, është jo vetëm të heqin pengesat për lëvizjen ekonomike, por të mendojnë se si të nxitet zhvillimi i krejt rajonit të Europës Juglindore, se si të promovojnë njëri-tjetrin në aspektin ekonomik dhe se si të bëhen pjesë jo vetëm e tregut të rajonit, por edhe pjesë e tregut global”.

Në forum marrin pjesë edhe ish kryeministri i Shqipërisë Ilir Meta dhe ministri i Infrastrukturës i Kosovës Fehmi Mujota.

Forumi ekonomik për vendet e Eurpopës Juglindore vazhdon punimet deri të mërkurën.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG