Lidhje

Këtë javë në Uashington


Amerikanët kanë tashmë një marrëveshje globale për klimën që po e ndan Uashingtonin përgjatë linjave të parashikueshme partiake. Angazhimet e marrëveshjes për pakësimin e nivelit të karbonit dhe kontributet financiare për vendet në zhvillim pritet të zenë vend në fushatën për zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në SHBA.

Presidenti Barack Obama u shpreh se kjo marrëveshje do të thotë më pak ndotje karboni që kërcënon planetin tonë, si dhe shumë vende pune dhe rritjen ekonomike të nxitur nga investimet me karbon të ulët.

Me këto fjalë presidenti e paraqiti marrëveshjen e Parisit për publikun amerikan.

"Ajo që ka rëndësi është se sot mund të jemi më të sigurt se ky planet do të jetë në gjendje më të mirë për brezin e ardhshëm. Dhe kjo është ajo që më intereson."

Demokratët në Kongres dërguan mesazhe të shumta në Twitter për të përshëndetur marrëveshjen. Ndërsa republikanët mbajtën qëndrim të kundërt qysh para se marrëveshja të arrihej.

Senatori John Barasso, i partisë republikane tha se "presidenti Obama ka premtuar të shkurtojë prodhimin e energjisë amerikane në mënyrë dramatike. Populli amerikan kundërshton për të dërguar paratë e veta në një fond llucë klimatike të Kombeve të Bashkuara. "

Në një deklaratë, udhëheqësi i shumicës në Senat, Mitch McConnell sulmoi marrëveshjen si të paarritshme dhe bazuar në një plan të brendshëm të energjisë që mund të jetë i paligjshëm dhe se Kongresi ka votuar tashmë për ta kundërshtuar.

Ndërsa Donald Trump, kandidati republikan për president tha se
"ne duam të kemi ajër të pastër, ne duam të kemi ujë të pastër."

Kandidatët republikanë për president thonë se planeti mund të jetë i mbrojtur edhe pa përpjekjet e presidentit Obama për klimën që mbyll vende pune sipas tyre. Por Administrata Obama po qëndron e palëkundur.

Sekretari i Shtetit, John Kerry thotë se shumë anëtarë të Kongresit janë në anën e gabuar të historisë. Dhe askush nuk mund të zgjidhet dot president i Shteteve të Bashkuara nëse nuk kupton ndryshimin e klimës dhe nuk angazhohet për këtë lloj plani, thotë ai

Ndër pretendentët demokrat për president, Hillari Klinton e quajti marrëveshjen për klimën një hap historik përpara. Bernie Sanders tha se marrëveshja nuk i përmbush parashikimet e tij.​

"Nuk ka asgjë me rëndësi më të madhe sesa ta lëmë këtë planet të shëndetshëm e të banueshëm për brezat e ardhshëm.”

Është e sigurt se marrëveshja për klimën do të nxisë debat të ashpër gjatë kësaj jave në Kongres.

XS
SM
MD
LG