Lidhje

Zhvillimet e javës në Uashington


Pas përqëndrimit për disa javë të vemendjes tek Siria, Uashingtoni po e kthen tani vëmendjen tek problemet financiare. Në se Kongresi dhe administrata nuk bien dakort deri në fund të muajit për buxhetin dhe tavanain e borxhit, qeveria federale rrezikon të mbyllet dhe vlerësimi për sistemin e kreditit të Amerikës të ulet. Ndërkohë pritet të rifillojnë debatet partiake në Kongres lidhur me shpenzimet federale dhe ligjin e presidentit për kujdesin shëndetsor, një pjesë e rëndësishme e të cilit hyn në fuqi më 1 tetor.

Presidenti Obama thotë se gjendja fiskale e Amerikës po përmirësohet.

“Deficiti është përgjysmuar që kur erdha në Shtëpinë e Bardhë dhe kjo prirje po vazhdon. Nëse duam ta ulim edhe më shumë deficitin, unë kam paraqitur një buxhet që e parashikon një gjë të tillë”.

Ligjvënësit republikanë nuk janë të kënaqur, mes tyre edhe Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, republikani John Boehner:

“Për hir të ekonomisë tonë, ne do të vazhdojmë të bëjmë çdo gjë të mundur për të zbërthyer, shfuqizuar dhe për të mos financuar ligjin e kujdesit shëndetsor. Një pjesë tjetër e rëndësishme e planit tonë për krijimin e vendeve të reja të punës është ulja e deficitit dhe borxhit masiv, që po dëmton ekonominë tonë dhe po rrezikon ëndrrën amerikane të fëmijëve tanë dhe brezave të ardhshëm”.

Deri tani, republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve duken të përçarë në mënyrat se si t’i arrijnë këto objektiva. Shkurtime të mëtejshme të programeve të brendshme, që kërkohen nga republikanët nuk do të kenë mbështetjen e demokratëve, thotë udhëheqësja e pakicës demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve, Nancy Pelosi.

“Ky është prej propozimeve më të pavlefshme: shkurtimi i fondeve të arsimit për të ulur deficitin. Jo, duhet bërë e kundërta: le të investojmë në arsim për të zhvilluar ekonominë tonë dhe për të rritur të ardhurat buxhetore”.

Edhe Shtëpia e Bardhë thotë se nuk do të negociojë lidhur me ligjin e kujdesit shëndetësor.

“Ne nuk do të pranojmë asgjë që shtyn ose nuk financon reformën shëndetësore. Kërcënimi për të mbyllur qeverinë federale për shkak të një qëndrimi ideologjik është diçka që shumica e amerikanëve nuk besojnë se është kursi i duhur për të ndërmarrë”.

Pa një kompromis buxhetor, qeveria federale nuk do të ketë më fonde për të shpenzuar pas 30 shtatorit. Dhe disa javë pas kësaj, qeveria federale duhet të ngrejë edhe tavanin e borxhit.
XS
SM
MD
LG