Lidhje

Uashingtoni: Duhen vepra nga udhëheqja siriane dhe jo fjalë

  • David Gollust

Uashingtoni: Duhen vepra nga udhëheqja siriane dhe jo fjalë

Uashingtoni: Duhen vepra nga udhëheqja siriane dhe jo fjalë

Zyrtarët amerikanë thonë se komuniteti ndërkombëtar, dhe kryesisht populli sirian, janë lodhur nga premtimet e udhëheqësve sirianë dhe ato që nevojiten janë reformat dhe dhënia fund e së është quajturës shtypje e pështirë e zotit Asad ndaj kundërshtarëve.

Në reagimin e tretë që nga fillimi i protestave siriane për demokraci katër muaj më parë, presidenti Assad tha se do të ftonte 100 personalitete të larta siriane për të diskutuar reformat kushtetuese, në një prag kohor prej një muaji për rekomandime.

Administrata e presidentit Obama i ka bërë thirrje udhëheqësit sirian që të ndërmarrë reforma ose të japë dorëheqjen. Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit Victoria Nuland tha se ajo që ka rëndësi janë veprat dhe jo fjalët. Ajo hodhi poshtë sugjerimet e udhëheqësit sirian se të huajt fshiheshin pas dhunës disa javore nga forcat e sigurisë që kanë lënë më shumë se 1,400 të vdekur.

“Ai shpenzon shumë kohë duke akuzuar ndikimet e huaja, në vend që të pranojë që populli i tij janë neveritur nga një regjim që mban veten në fuqi përmes shtypjes, korrupsionit dhe frikës. Duhet theksuar se pjesa derrmuese e njerëzve të pafajshëm të vrarë në Siri ishin në duart e forcave të sigurisë.”

Zonja Nuland tha se ndikimi për të cilin Shtetet e Bashkuara është e shqetësuar është ai i Iranit në Siri dhe se qeveria e zotit Assad ka shpalosur një faqe nga libri iranian duke shtypur protestat popullore sikurse bëri Teherani pas zgjedhjeve të debatuara të vitit 2009.

Edhe Bashkimi Evropian shprehu zhgënjim me fjalimin e zotit Assad dhe tha se po përgatitet për të zgjeruar sanksionet e veta ndaj Sirisë si reagim ndaj përkeqësimit të dhunës.

Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit la të kuptohet për sanksione të mëtejshme amerikane duke thënë se administrata e presidentit Obama po punon me aleatët amerikanë për grumbullimin e informacioneve që mund të çojnë në hetime për krime lufte ndaj udhëheqjes siriane nga Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve. Ajo konfirmoi komentet nga zyrtarë anonimë amerikanë javën e kaluar se Shtetet e Bashkuara po egzaminonin sanksione të mundëshme ndaj industrisë siriane të naftës dhe gazit.

Prodhimi i naftës në Siri ka pësuar rënie gjatë viteve të fundit, por eksportimi i afro 400 mijë fuçive naftë në ditë janë një burim i rendësishëm të ardhurash për qeverinë, kryesisht me renien e tregtisë dhe turizmit si rezultat i trazirave.

Eksperti sirian dhe gazetari Andrew Tabler, që po viziton në rolin e studiuesit Insitutin Washington për Politikat e Lindjes së Afërt, thotë se sanksionet janë më të mundëshme sesa veprimet e Gjykatës Ndërkombëtare të Krimeve.

“Ata mund të drejtojnë një përpjekje për të vënë në shënjestër sektorin energjitik sirian, e cila përbën një të tretën e të ardhurave për Sirinë. Përfitimet shkojnë direkt për qeverinë dhe populli nuk do të pësonte dëm në këtë mes. Kjo është vështirë të arrihet pa ndihmën e aleatëve. Aleatët evropianë dhe Turqia janë në krahun tonë. Ngritja e akuzave nga Haga do të kërkonte veprime të Këshillit të Sigurimit meqenëse Siria nuk është vend aderues në këtë aparat. Deri tani, rusët dhe kinezët kanë bllokuar veprimet e Këshillit të Sigurimit. Por kjo nuk do të thotë që nuk mund të ndodhë në të ardhmen.”

Departamenti i Shtetit tha se ambasadori amerikan në Siri Robert Ford shkoi në Sirinë veriore të henën në përpjekje për të parë nga afër kushtet në atë zonë, ku veprimet nga forcat e sigurisë kanë zhvendosur mijëra civilë, shumica prej të cilëve kanë shkuar në Turqi.

Zyrtarët në Washington thonë se të dërguarit amerikan nuk i janë miratuar takime të larta me zyrtarë të qeverisë në Damask, por ai ka hapur dialog me një numër të madh figurash të opozitës siriane.

XS
SM
MD
LG