Lidhje

Uashingtoni, Kushtetuta dhe buxheti


Uashingtoni, Kushtetuta dhe buxheti
Uashingtoni, Kushtetuta dhe buxheti

Kriza e borxhit në Uashington ka nxitur republikanët që të bëjnë thirrje për ndryshime në Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara. Ky ndryshim i propozuar prej tyre kërkon që Kongresi dhe presidenti të balancojnë buxhetin çdo vit. Disa specialistë thonë se defiçiti buxhetor dëmton si ekonominë ashtu edhe brezat e ardhshëm. Por disa analistë të tjerë thonë se kërkesa për një buxhet të balancuar mund t’a vështirësojë punën e qeverisë që t’u përgjigjet situatave të paparashikuara dhe mund t’i bëjë rëniet ekonomike edhe më të thella.

Numrat që ngrihen vazhdimisht në këtë orë që mat borxhin, janë arsyeja që disa anëtarë të Kongresit thonë se vendi ka nevojë për një amendament kushtetues për balancimin e borxhit.

Ata thonë se pa të, Uashingtoni do ta zhysë edhe më thellë vendin në borxhin katastrofik.

Por kritikët thonë se një buxhet i balancuar do t’a bënte të vështirë që të financoheshin programet e mëdha infrastrukturore si ndërtimi i rrugëve kombëtare dhe urave.

Ata gjithashtu thonë se Uashingtoni ka nevojë për fleksibilitet për t’u përballur me kostot e paparashikuara të luftës, fatkeqësive natyrore, si dhe me problemet ekonomike, siç ishte kriza e kohëve të fundit.

Për shembull, gjatë një krize ekonomike papunësia rritet, duke shtuar nevojën për kompesime qeveritare. Në të njëjtën kohë të ardhurat nga taksat bien sepse më pak njerëz kanë aktivitete të taksueshme, dhe kjo ndikon në thellimin e deficitit.

Nëpër vite, ngaqë qeveria duhet ë bëjë pagesa që i tejkalojnë të ardhurat, kjo sjell që borxhi të shkojë në 14.3 trilionë dollarë.

Qeveria financon defiçitin me shuma të mëdha të cilat merren borxh, çka shton interesin e kësteve të borxhit dhe ngadalëson rritjen ekonomike.

Brian Darling, i Fondacionit konservator Heritage, thotë se qeveria ka hyrë në defiçit sepse ka administratë të ngarkuar, që shtohet nga dita në ditë dhe që ka kosto të lartë.

“Kjo dëmton ekonominë tonë, dëmton edhe ekonominë botërore sepse qeveria amerikane merr dhe përdor për veten e saj burime, të cilat duhet të përdoren në të tjera drejtime”.

Por Michael Ettlinger e Qendrës liberale për Përparimin Amerikan thotë se defiçitit masiv nuk është rezultat i një qeverie me administratë të ngarkuar, por pasojë e shkurtimit të taksave që u ndërrmor nga administrata e presidentit Xhorxh W Bush.

“Ajo që na dallon ne nga çdo vend tjetër i zhvilluar është se Shtetet e Bashkuara kanë taksat më të ulëta. Rezultati është se ne përpiqemi të shpenzojmë si vend i zhvilluar, dhe taksohem më pak se këto vende”.

Republikanët në Kongres thonë se Uashingtoni duhet të përgjysmojë shpenzimet, dhe jo të rrisë taksat. Mjaft prej tyre mbështesin propozimin që të shkohet drejt një proçesi kompleks për ndryshimin e Kushtetusë së Shteteve të Bashkuara për të kërkuar një buxhet të balancuar çdo vit.

Senatori republikan Orrin Hatch thotë se kjo është e vetmja mënyrë që të ndalojmë tejkalimin e shpenzimeve.

“Uashingtoni ka demonstruar vazhdimisht që ai nuk kontrollon dot dëshirën për të shpenzuar”.

Presidenti Baraka Obama thotë se ai mendon që është e rëndësishme të punohet drejt balancimit të buxheti dhe të bëhen zgjidhje të vështira të cilat janë pjesë kyçe e punës për të cilën ai dhe anëtarët e Kongresit janë zgjedhur për të kryer.

“Ne nuk na duhet një amendim i kushtetutës për të bërë këtë. Ne duhet të bëjmë punën tonë”.

Dhoma e Përfaqësuesve mbështet një amendament për balancimin e buxhetit, por duket se ai nuk do të miratohet në Senat. 5 ekonomistë fitues të çmimit Nobel në ekonomi thonë se një ligj i tillë do t’a bënte të vështirë që t’i jepet një përgjigje krizës ekonomike dhe do të përkeqësonte krizën.

XS
SM
MD
LG