Lidhje

Uashingtoni pezullon një pjesë të ndihmës ushtarake për Pakistanin


Uashingtoni pezullon një pjesë të ndihmës ushtarake për Pakistanin
Uashingtoni pezullon një pjesë të ndihmës ushtarake për Pakistanin

Një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë thotë se Shtetet e Bashkuara po pezullojnë rreth 800 milion dollarë ndihmë ushtarake për Pakistanin, një masë që disa analistë thonë se po merret për të ushtruar trysni ndaj ushtrisë pakistaneze për të rritur bashkëpunimin. Vendimi vjen ndërkohë që lidhjet mes dy vendeve janë tendosur pas operacionit amerikan në kompleksin pakistanez ku u vra kreu i al-Kaidës Osama bin Laden. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Uilliam Ajd njofton nga Uashingtoni.

Shefi i Stafit në Shtëpinë e Bardhë Uilliam Dejli thotë se megjithëse marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me Pakistanin janë të vështira dhe komplekse, ata duhet të rikthehen në nivelin e duhur me kalimin e kohës.

"Ata kanë qenë aleatë të rëndësishëm në luftën kundër terrorizmit. Ata kanë qenë viktima të terrorizmit. Por tani ata kanë ndërmarrë hapa që na kanë bërë të pezullojmë një pjesë të ndihmës që do t’u jepnim për ushtrinë. Dhe ne po përpiqemi t’i zgjidhim këto çështje."

Zoti Dejli i bëri komentet e tij në programin e televizionit ABC “This Week” dje pasi u pyet mbi një artikull të gazetës Nju Jork Tajms i cili ekspozoi për herë të parë vendimin amerikan për pezullimin e qindra miliona dollarëve në ndihma ushtarake për Pakistanin.
Zoti Dejli nuk tha se çfarë hapash kishte ndërmarrë Pakistani që kishin nxitur Shtetet e Bashkuara për të ngrirë fondet. Zyrtarët amerikanë janë cituar të kenë thënë se masa është në përgjigje të vendimit të Islamabadit për dëbimin e trainuesve ushtarakë amerikanë dhe kufizimit të vizave për personelin amerikan mes të tjerash.
Analistët thonë se pezullimi synonte t’i bënte trysni Pakistanit për të bashkëpunuar më shumë me Shtetet e Bashkuara në luftën kundër militantëve.
Marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Islamabadit janë tensionuar shumë gjatë muajve të fundit. Javën e kaluar, kreu i shtatmadhorisë amerikane, admirali Majk Mylen nxiti një përgjjigje të fortë nga Pakistani me komentin e tij mbi vrasjen e gazetarit pakistanez Salem Shahzad, i cili u rrah për vdekje në muajin maj. Megjithëse zoti Mylen tha se nuk mund ta lidhte vrasjen me një agjenci të caktuar qeveritare pakistaneze, ai tha se nuk kishte parë ndonjë fakt që të kundërshtonte idenë se Islamabadi e kishte miratuar vrasjen.
Qeveria pakistaneze i dënoi komentet e tij duke i quajtur tepër “të papërgjegjshme dhe për të ardhur keq.”

Marvin Uajnbaum, ekspert në Institutin e Lindjes së Mesme në Uashington, thotë se masa e administratës është si një bast i rrezikshëm dhe se nuk ka të ngjarë që ta bëjë Pakistanin më bashkëpunues.

"Vështirësia qëndron tek fakti se në publikun dhe ushtrinë pakistaneze ka shumë prej atyre që thonë se nuk u intereson ndihma ushtarake apo çfarëdo lloj ndihme tjetër amerikane."

Zoti Uajnbaum thotë se pezullimi i ndihmës amerikane ka të ngjarë ta vështirësojë luftën e Pakistanit kundër militantëve përgjatë kufijve të tij.

"Të gjitha përpjekjet që ka bërë Pakistani për luftën ndaj militantëve dhe ekstremistëve në kufi janë përqendruar në luftën kundër elementëve që kërcënojnë Pakistanin. Prandaj ata kanë pasur pak vlerë në trajtimin e kryengritjes në Afganistan, për të cilën shqetësohen Shtetet e Bashkuara."

Vitin e kaluar, sipas një raporti të Shërbimit Studimor të Kongresit, Shtetet e Bashkuara i dhanë Pakistanit gati katër miliard e gjysëm dollarë në ndihma ushtarake dhe civile. Ndihma ushtarake përbënte më shumë se gjysmën e asaj shume me 2,7 miliard dollarë.

XS
SM
MD
LG