Lidhje

Uashingtoni pret që raporti i Agjencisë Atomike të reflektojë shqetësimet mbi Iranin


Uashingtoni pret që raporti i Agjencisë Atomike të reflektojë shqetësimet mbi Iranin
Uashingtoni pret që raporti i Agjencisë Atomike të reflektojë shqetësimet mbi Iranin

Pyetjet e ngritura rreth raportit të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore, detaje nga i cili kanë dalë para publikimit të tij nga agjencia me bazë në Vjenë, çuan tek konferenca e shtypit në Shtëpinë e Bardhë.

Njoftimet e medias janë përqendruar tek disa gjetje thelbësore. Media izraelite ka njoftuar mbi një debat të intensifikuar qeveritar dhe publik lidhur me një sulm të mundëshëm ushtarak parandalues ndaj Iranit.

Një artuikull i gazetës Washington Post thoshte se diplomatët perëndimorë dhe ekspertët bërthamor që shqyrtuan të dhënat sekrete besojnë se Irani ka ndërmarrë hapa të rendësishëm në tejkalimin e sfidave teknike për ndërtimin e një arme bërthamore me ndihmën e shkencëtarëve të huaj. Irani ruan qëndrimin se programi bërthamor ka synime paqësore.

Zëdhënësi i shtypit pranë Shtëpisë së Bardhë Xhei Karni tha se raporti i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore pritet t’i bëjë jehonë dhe përforcojë shqetësimet mbi sjelljen e Iranit dhe dështimin e atij vendi për të zbatuar detyrimet ndërkombëtare, duke shtuar këtu se sanksionet ndërkombëtare kundër Iranit kanë qënë të efektshme.

Zoti Karni tha se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të ndjekin një qasje diplomatike por ai përsëriti qendrimin e kahershëm se asnjë mundësi nuk mund të përjashtohet. Ai reagoi kështu kur u pyet se si do ta shikonte Uashingtoni një sulm parandalues nga Izraeli kundër objekteve bërthamore iraniane.

“Tani jemi në një situatë që nuk ka egzistuar më parë, ku për shkak të qasjes së dyanëshme nga kjo administratë, tani është e qartë tek e gjithë bota se problemi nuk qendron tek Shtetet e Bashkuara por tek Irani dhe sjellja e tij. Kjo na ka mundësuar ne që të mobilizojmë komunitetin ndërkombëtar në një mënyrë që nuk ka ekzistuar në të kaluarën, dhe sëbashku të ushtrojmë presion ndaj Iranit për të ndryshuar sjelljen.”

Zëdhënësi Karni kishte pothuajse të njëjtin reagim kur u pyet se çfarë ka në plan të bëjë Presidenti Obama pas publikimit të raportit nga Agjencisa Ndërkombëtare e Energjisë Bërthamore, dhe rreth efektshmërisë së sanksioneve ndaj Iranit. Ndërkohë, në Departamentin e Shtetit zëdhënësja Viktoria Nuland tha se Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera kanë patur njoftime paraprake mbi çështjen.

“Kemi patur një ide nga zyra e drejtorit të përgjithshëm se çfarë do të përmbajë raporti dhe disa nga pikat që rezultojnë të jenë të vështira. Por, derisa të dalë raporti përfundimtar, nuk dua të shprehem për këtë.”

Zonja Nuland përsëriti qendrimin amerikan dhe ndërkombëtar se Irani është i lejuar të përdor programin bërthamor për qëllime paqësore, për aq kohë sa është transparent dhe lejon inspektime të plota. Por ajo tha se Irani nuk ka lejuar inspektime të plota dhe shkembimin e informacionit që do të siguronte botën. Ajo tha se Teherani ka vazhduar me pasurimin e uraniumit më shumë se 20 përqind, përtej kufirit të nevojshëm për synime paqësore energjitike.

Gjatë takimti të javës së kaluar të G20 në Francë, Presidenti Obama tha se programi bërthamor i Iranit përbën një kërcënim të vazhdueshëm dhe i kërkoi Teheranit të plotësojë detyrimet e tij bërthamore.

I pyetur nëse zoti Obama mund të bëjë një dekleratë të re lidhur me çështjen bërthamore të Iranit, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Xhei Karni përsëriti se presidenti nuk do të komentojë mbi çështjen para se të publikohet zyrtarisht raporti.

XS
SM
MD
LG