Lidhje

Fillon marrja në pyetje e ish-anëtarëve të UÇK-së


Në Kosovë, prokurorët e Misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit kanë filluar sot marrjen në pyetje të shtatë personave të dyshuar për përfshirje në krime lufte.
Në mesin e tyre janë ish komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sulejman Selimi, i njohur me emrin e luftës Sulltani, aktualisht ambasador i Kosovës në Tiranë dhe kryetari aktual i komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, ish komandant i zonës së parë të ish UÇK-së, si dhe pesë ish pjesëtarë të UÇK-së.
Që të gjithë të dyshuarit gjenden në paraburgim që nga muaji qershor.
Të shtatë personat sipas Misionit të EULEX-it po hetohen “për krime lufte kundër popullsisë civile në formën e dhunimit të integritetit trupor dhe shëndetit të civilëve. Ata civilë janë mbajtur në qendrën e ndalimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në fshatin Likoc të komunës së Skenderajt. Një i dyshuar gjithashtu po hetohet për vrasjen e një civili si krim lufte”.
Fillimi i hetimeve kishte nxitur reagime të shumta, ndërsa organizatat e dala nga lufta e ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u kanë bërë thirrje institucioneve të Kosovës, që siç thuhet, të shqyrtojnë pozicionin e EULEX-it.
Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, u vendos në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë së saj nga Serbia në shkurt të vitit 2008. Misioni ruan ende fuqi ekzekutive dhe trajton rastet e krimeve te luftës por edhe krimin e organizuar dhe korrupsionin në rastet që vlerësohen me të ndejshme për t’u trajtuar nga prokurorët dhe gjykatësit vendas.
XS
SM
MD
LG