Lidhje

Udhëheqësi i al-Kaidës në Jemen paralajmëron SHBA për sulme të tjera


Udhëheqësi i al-Kaidës në Jemen paralajmëron SHBA për sulme të tjera
Udhëheqësi i al-Kaidës në Jemen paralajmëron SHBA për sulme të tjera

Udhëheqësi i al-Kaidës në Jemen paralajmëroi Shtetet e Bashkuara për sulme të tjera si hakmarrje ndaj vrasjes së Osama bin Ladenit në Pakistan.

Në një deklaratë të publikuar sot në Internet, Nasser al-Uahishi, shkruante se flaka e xhihadit është akoma më e gjallë tani pas vdekjes së bin Ladenit dhe se ajo që do të vijë do të jetë më e madhe dhe më e keqe.

Paralajmërimi i udhëheqësit të al-Kaidës në Gadishullin Arabik vjen ndërkohë që senatori amerikan Xhon Kerri njoftoi se do të shkojë në Pakistan javën tjetër në përpjekje për t’i kthyer marrëdhëniet me këtë vend në rrjedhat e mëparshme.

Inkursioni amerikan në Abotabad të Pakistanit që çoi në vrasjen e bin Ladenit i ka tensionuar më tej marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Pakistanit.

Senatori Kerri, kryetar i Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, u tha gazetarëve në Uashington se do të diskutojë mbi marrëdhëniet dypalëshe me zyrtarët pakistanezë gjatë vizitës së tij në Pakistan.

Në fillim të kësaj jave, kryeministri i Pakistanit, Jusuf Raza Gilani, hodhi poshtë akuzat se ushtria dhe agjencitë pakistaneze të zbulimit u treguan të paaftë në zbulimin e kompleksit ku fshihej bin Ladeni ose e mbajtën qëllimisht të fshehtë atë.

XS
SM
MD
LG