Lidhje

Udhëheqësit bojkotojnë kampionatin evropian të futbollit në Ukrainë

  • Zëri Amerikës

Një debat ndërkombëtar për mënyrën e trajtimit të udhëheqëses së opozitës ukrainase dhe ish-kryeministres Julia Timoshenko ka prekur edhe botën e sportit. Në Ukrainë dhe Poloni mbahet muajin e ardhshëm kampionati evropian i futbollit. Një numër udhëheqësish evropianë, përfshirë presidentit e Shqipërisë Bamir Topi, thonë se do t’i bojkotojnë ndeshjet që mbahen në Ukrainë për atë që ata e quajnë trajtimin abuziv të qeverisë ndaj ish-kryeministres Timoshenko. Qeveria ukrainase i quan këto veprime, një kthim tek taktikat e Luftës së Ftohtë.

Të martën, më 1 maj, përkrahësit komunistë dolën në rrugët e Kievit, ndërsa lajmet për bojkotimin e kampionatit evropian shtoheshin. Demonstruesit shprehën mbështetjen për Julia Timoshenkon dhe për bojkotin:

“Sigurisht që ajo që po bëhet me Julia Timoshenkon nuk është aspak e drejtë. Kjo situatë duhet zgjidhur dhe është e drejtë që ajo po mbrohet nga Bashkimi Evropian”.

Fotografitë e tregojnë Timoshenkon, në grevë urie, me shenja në krah dhe bark që ajo thotë se janë pasojë e keqtrajtimit nga gardianët e burgut, një akuzë që mohohet nga qeveria.

Ajo po kryen shtatë vjet burg për shpërdorim detyre. Ajo thotë se akuzat janë të motivuara politikisht.

Fotografitë nxitën disa udhëheqës dhe ministra evropianë që të zotohen për bojkotim të ndeshjeve të Ukrainës të kampionatit evropian të futbollit, mes së cilëve e gjithë qeveria hollandeze dhe presidenti i Komisionit Evropian.

Ministri gjerman i Mjedisit, Norbert Roettgen bëri thirrje që edhe të tjerë të bëjnë të njëjtën gjë.

“Nuk mendoj se Ministrat apo kryeministrat duhet të marrin pjesë si vizitorë, sepse kam frikë se do të duhet si justifikim i regjimit, një regjim diktatorial”.

Udhëheqës të tjerë evropianë, përfshirë Ministrat e Jashtëm të Gjermanisë dhe Suedisë e kanë hedhur poshtë idenë e bojkotit.

Orysia Lutsevych, një analiste ukrainase në organizatën me qendër në Londër Chatham House, thotë se bojkotimi do të kishte pasoja për gjithë ukrainasit.

“Mendoj se ka mënyra më të përshtatshme për të dërguar një sinjal dhe për të ushtruar presion ndaj qeverisë përveç bojkotit. Sa më shumë gazetarë dhe njerëz të njohur vijnë në vend, aq më shumë mundësi ka për ta ngritur çështjen e të drejtave të njeriut dhe demokracisë”.

Ukraina shpreson që kampionati evropian të shërbejë për të nxjerrë në pah vendin, ku priten të shkojnë deri në 1 milionë vizitorë. Por indinjata për rastin e Timoshenkos, kanë lindur dyshime se vendi mund ta përmirësojë imazhin e vet ndërkombëtar.

Opinioni publik në Evropë duket i ndarë. Disa argumentojnë se bojkotimi do të ndihmojë për rritjen e ndërgjegjësimit, ndërsa të tjerë thonë se prania e aq shumë gazetarëve dhe vizitorëve të huaj do ta kthejë vëmendjen tek shkekljet për të cilat dyshohet qeveria.

XS
SM
MD
LG