Lidhje

Udhëheqësit e BE-së në Bruksel për shpëtimin e Eurozonës

  • Zëri Amerikës

Udhëheqësit e BE-së në Bruksel për shpëtimin e Eurozonës

Udhëheqësit e BE-së në Bruksel për shpëtimin e Eurozonës

Udhëheqësit evropianë janë gati të miratojnë për të dytin vit me radhë një paketë ndihmash financiare për Greqinë, por edhe në një rast të tillë ky vend i dëmtuar rëndë nga borxhet mund të mos jetë në gjendje të paguajë në kohë disa prej huave të tij.

Zyrtarë nga 17 vendet e eurozonës u takuan sot në Bruksel për të diskutuar vështirësitë financiare të Greqisë. Por objektivi i tyre më i gjerë ishte parandalimi i përhapjes së krizës në ekonomitë më të mëdha të Spanjës dhe Italisë, qeveritë e të cilave përballen gjithashtu me vështirësi në përpjekje për të kontrolluar shpenzimet dhe deficitin.

Gjatë vitit të fundit, Greqia, dhe më vonë Irlanda dhe Portugalia, u detyruan të siguronin ndihma financiare nga fqinjët evropianë si dhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. Por Greqia, edhe pasi miratoi masa të ashpra financiare për të shkurtuar shpenzimet dhe për të ngritur taksat, tha se i nevojitet edhe një paketë sa ajo e vitit të kaluar prej 156 miliardë dollarësh.

Presidenti francez Nikola Sarkozi dhe kancelarja gjermane Angela Merkel arritën sot për një takim të nivelit të lartë në Bruksel pas kapërcimit të mosmarrëveshjeve rreth mënyrave për të luftuar krizën e borxhit në Evropë. Dje ata patën shtatë orë bisedime në Berlin mes trysnisë në rritje për të dalë me një zgjidhje të përgjithshme për problemet e borxhit të Greqisë dhe për të parandaluar përhapjen e krizës në ekonomitë më të mëdha, si Spanja apo Italia.

Zonja Merkel i përshkroi si "konstruktive" bisedimet me Presidentin Sarkozy.

"Kemi përgatitur një marrëveshje ... me Presidentin e Bashkimit Evropian, Herman Van Rompuy," shtoi ajo.

Merkel dhe Sarkozi nuk kanë dhënë ndonjë hollësi për planin e tyre të përbashkët, por kryeministri i Luksemburgut dhe Kryetari i Eurogrupit, Zhan-Klod Junker tha se nuk kishte gjasa për të përfshirë një taksë mbi bankat në paketën e dytë të shpëtimit për Greqinë.

Komentet e zotit Juncker shkaktuan shitjen e euros në tregjet financiare pasi investitorët tani mendojnë se çdo përfshirje e sektorit privat mund të nënkuptojë se agjencitë e kreditit do ta konsiderojnë Greqinë si të paaftë për të paguar borxhet.

Kjo mund të shkaktojë trazira të reja financiare, veçanërisht në qoftë se Banka Qendrore Evropiane këmbëngul për t’ua hequr bankave greke mbështetjen emergjente, siç ka kërcënuar të bëjë nëse vendi konsiderohet i paaftë për të paguar borxhet.

Dy udhëheqësit janë përpjekur të gjejnë një marrëveshje që garanton se bankat dhe investitorë të tjerë privatë do të ndihmojnë që të paguhet për një paketë të re shpëtimi pa shkaktuar në tregjet financiare panikun se kriza mund të përhapet në ekonomitë më të mëdha evropiane.

XS
SM
MD
LG