Lidhje

Udhëheqësit e BE-së vazhdojnë diskutimet mbi gjendjen ekonomike

  • Lisa Bryant

Udhëheqësit e BE-së vazhdojnë diskutimet mbi gjendjen ekonomike

Udhëheqësit e BE-së vazhdojnë diskutimet mbi gjendjen ekonomike

Udhëheqësit evropianë mund të zhvillojnë nesër një takim tjetër për të diskutuar krizën në vendet e eurozonës të cilat janë duke u përballur me vështirësi. Korrespondentja e Zërit të Amerikës në Paris, Lisa Bryant njofton se eurozona po përjeton një tjetër javë të zymtë - dhe problemi i borxhit në Amerikë e ka shtuar pasigurinë.

Më shumë lajme të zymta për 17 vendet e eurozonës. Këtë javë, agjencia e vlerësimit të mundësisë për huamarrje Moody uli statusin e Irlandës shumë poshtë – pas veprimeve të ngjashme që u morën kundër Portugalisë javën e kaluar. Agjencia Moody parashikon se ashtu si anëtari tjetër i eurozonës, Greqia, këto dy vende do të duhet të marrin një paketë të dytë ndihmash financiare.

Duke folur nga Spanja të martën, presidenti i Bashkimit Evropian Herman Van Rompuy u përpoq ta qetësonte gjendjen e tensionuar të tregjeve.

“Unë jam plotësisht i vetëdijshëm për tensionet aktuale në tregjet e borxhit. Por më lejoni të jem shumë i qartë se ka një angazhim shumë të madh në nivelin më të lartë për të bërë çdo gjë që është e nevojshme për ta ruajtur stabilitetin financiar të eurozonës. Udhëheqësit duhet të heqin dorë nga axhendat e tyre të brendshme politike për t’u përballur me këtë situatë- dhe ata do ta bëjnë këtë”.

Por takimi i ministrave evropianë të financave javën e kaluar në Bruksel nuk arriti të dalë me një plan të qartë veprimi. Kjo mund t’u lihet krerëve të BE-së, në qoftë se ata zhvillojnë bisedime urgjente të premten.
Çështja është se sa duhet të kontribuojë sektori privat në përpjekjen tjetër për t’i shpëtuar grekët dhe për të riparuar tërësisht fondin e bllokut për ndihma financiare duke e bërë atë më elastik.

Gilles Moec, bashkë-kryetar i grupit Studimi i Ekonomisë Evropiane për Deutsche Bank me seli në Londër, thotë se përfshirja e sektorit privat është kryesisht një çështje politike.

“Ideja - sidomos në vendet kryesore të eurozonës – është që të thuhet se taksapaguesit nuk duhet të jenë i vetmi aktor në sistem që duhet të paguajnë për shpëtimin ekonomik të këtyre vendeve”.

Rezultatet nga të ashtuquajturat teste të bankave evropiane do të dalin këtë javë - dhe ato duhet të tregojnë punën e bankave në kufizimin e përhapjes së krizës - dhe aftësinë e tyre për të kontribuar në shpëtimin financiar të ekonomive në krizë.

Edhe pse nuk ka të ngjarë të ndodhë, shanset që Shtetet e Bashkuara të mos mund të paguajnë borxhin e tyre masiv është një tjetër shqetësim. Kreu i Bankës Qendrore Amerikane Ben Bernanke ka paralajmëruar se një skenar i tillë mund të shkaktojë një krizë të madhe botërore.

Gilles Moec nga Deutsche Bank thotë:

“Është e qartë se të gjitha këto diskutime mbi kufirin e borxhit në SHBA nuk e ndihmojnë situatën pasi kjo po i shton një shtresë tjetër ankthi gjendjes së tanishme, e cila tashmë është e mjaft ndërlikuar”.

Sipas analistes së organizatës Buruegel, Benedicta Marzinoto, shqetësim i menjëhershëm është frika se ekonomitë më të mëdha evropiane do të përfshihen nga kriza e borxheve të eurozonës. Tregjet pësuan rënie këtë javë nga frika se ekonomitë italiane dhe spanjolle mund të përballen me vështirësi.
“Sigurisht që gjërat janë keqësuar, sepse tregjet financiare po sulmojnë tregjet e mëdha si Italia dhe Spanja. Unë jam më shumë e shqetësuar për këto dy vende të mëdha se sa nga rënia në renditje e Irlandës që në një mënyrë ishte e pashmangshme, nëse merret parasysh situata në Greqi”.

Kryeministri italian Silvio Berluskoni është zotuar se do ta miratojë me shpejtësi një projekt-ligj të debatueshëm mbi masat për shkurtimet e shpenzimeve qeveritare. Reagimi fillestar i analistëve ka qenë pozitiv. Por ata thonë se BE-ja ende duhet të dalë me një strategji afatgjatë për eurozonën - dhe ekziston frika se marrja e vendimeve të vështira mund të shtyhet deri në vjeshtë.

XS
SM
MD
LG