Lidhje

Udhëheqësit evropianë nën trysni për gjetjen e një zgjidhjeje të krizës


Udhëheqësit evropianë nën trysni për gjetjen e një zgjidhjeje të krizës
Udhëheqësit evropianë nën trysni për gjetjen e një zgjidhjeje të krizës

Udhëheqësit evropianë po zhvillojnë takime shumë të rëndësishme në Bruksel. Kjo përbën një tjetër përpjekje për të zgjidhur krizën e borxheve dhe atë financiare, që po kërcënojnë të ardhmen e monedhës Euro. Trysnia mbi udhëheqësit është shumë e lartë dhe këtë herë prej tyre pritet një marrëveshje përfundimtare, ndryshe nga ato që kritikët i quajnë gjysmë-masa.

Kjo nuk është hera e parë që një takim i udhëheqësve evropianë cilësohet si mundësia e fundit për të shpëtuar monedhën Euro, e cila ndodhet në vështirësi. Por, ky takim i 27 udhëheqësve të Bashkimit Evropian në Bruksel përballet me një trysni shumë të lartë për gjetjen e një zgjidhjeje për krizën dy-vjeçare të eurozonës, si nga brenda BE-së ashtu edhe prej jashtë saj.

Plani që do të konsiderohet është hartuar nga dy ekonomitë më të mëdha evropiane, Franca dhe Gjermania. Këto vende kërkojnë një rishikim të plotë të traktateve të Bashkimit Evropian, për të krijuar një eurozonë më të bashkuar dhe më të përgjegjshme nga ana fiskale. Dy drejtuesit e këtyre vendeve paraqitën detajet e planit të tyre në një letër të dërguar Presidentit të Bashkimit Evropian Herman van Rompuy.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp me homologen e tij gjermane Angela Merkel, Presidenti francez Nikola Sarkozi tha se kriza ka qenë një arsye shtesë për bashkim midis dy vendeve të tyre. Ai tha se të dy vendet parashikojnë të njëjtën të ardhme për Evropën.

Megjithatë, plani i tyre duhet të pranohet nga 25 vendet e tjera anëtare të BE-së ose të paktën nga 17 vendet që përdorin euron. Kjo, thotë analisti Philippe Moreau Defarges, i Institutit Francez për Marrëdhëniet Ndërkombëtare, nuk është aspak diçka e sigurtë.

“Do të ketë trysni të lartë për pranimin e kësaj marrëveshjeje, jo vetëm prej anëtarëve të eurozonës por edhe prej jashtë saj. Unë mendoj se Britania e Madhe do t’a mbështesë këtë plan. Por do të jetë gjithsesi e vështirë.”

Kryeministri britanik David Cameron, vendi i të cilit nuk është anëtar i grupit të shteteve që përdorin euron, deri tani ka shprehur vetëm një mbështetje të kufizuar për planin. Ai tha në një rrjet televiziv britanik se prioriteti i tij do të jetë mbrojtja e interesave të Britanisë së Madhe.

“Vendet e eurozonës kanë nevojë të bashkohen, kanë nevojë të punojnë më tepër së bashku. Nëse ata zgjedhin t’a bëjnë këtë duke përdorur traktatin evropian, atëherë Britania do të insistojë mbi disa kushte. Nëse pranohen kushtet tona, atëherë traktati mund të nënshkruhet. Nëse ato nuk pranohen, traktati nuk do të nënshkruhet.”

Edhe nëse vendet e tjera të Bashkimit Evropian e pranojnë planin franko-gjerman, do të duhen muaj dhe ndoshta vite për t’a zbatuar atë, sepse mund të ketë nevojë për ndryshimin e traktateve ekzistuese të BE-së. Analistë, si ekonomisti i bankës BNP Paribas Shahin Vallee, thonë se kriza ka nevojë për veprim të menjëhershëm.

“Unë mendoj se zgjidhja e duhur do të ishte realizimi i një ndryshimi edhe më ambicioz i traktatit, përdorimi i një kohe të mjaftueshme për negocimin e elementëve të këtij traktati, duke ndërmarrë ndërkohë masa që të kenë pasoja të menjëhershme, si përgjigje ndaj problemeve urgjente të krizës.”

Duke shtuar trysninë ndaj situatës, agjencia Standard & Poor's ka paralajmëruar se do të ulë klasifikimin e kreditit të 15 vendeve të eurozonës, përfshi ekonomi të mëdha si Franca dhe Gjermania. Ka shqetësime se kriza mund të përhapet, duke ngadalësuar rritjen në Afrikë dhe Azi dhe duke kërcënuar rimëkëmbjen e brishtë të Shteteve të Bashkuara. Sekretari amerikan i Thesarit Timothy Geithner zhvilloi këtë javë takime me zyrtarë të lartë dhe udhëheqës të shteteve evropiane, duke theksuar shqetësimet e Uashingtonit.

“Unë ndodhem këtu në Evropë për të theksuar se sa e rëndësishme është për Shtetet e Bashkuara, dhe për ekonominë botërore në përgjithësi, që Gjermania dhe Franca, së bashku me vendet e tjera evropiane, të kenë sukses në ndërtimin e një Evrope më të fortë.”

Kriza e eurozonës ka ringjallur debate të hershme lidhur me pikëpyetjet nëse Bashkimi Evropian duhet të vazhdojë në rrugën e një bashkimi ekonomik dhe politik të mëtejshëm apo kriza është tregues i vetë dështimit të integrimit evropian? Zoti Vallee beson se zgjidhja e këtyre mëdyshjeve është gjithashtu e rëndësishme për zgjidhjen e krizës së eurozonës.

XS
SM
MD
LG