Lidhje

Udhëheqësit evropianë pranojnë në parim paketën fiskale


Udhëheqësit evropianë pranojnë në parim paketën fiskale
Udhëheqësit evropianë pranojnë në parim paketën fiskale

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian, të mbledhur në Bruksel, kanë rënë dakord “në parim” t’u kërkojnë vendeve anëtare të mbajnë një buxhet të balancuar dhe të ndëshkojnë shkelësit.

Por zyrtarët thonë se rregullat e reja fiskale ende lënë hapësirë për interpretimeve sipas specifikave të çdo vendi që do të merren parasysh para se të vihet në zbatim një mekanizëm “automatik” korregjimi.

Disa zyrtarë e kanë përshkruar takimin e nivelit të lartë evropian si një moment të rëndësishëm kthese për monedhën e përbashkët euro që është kërcënuar nga kriza e rëndë e borxheve. Por takimi u hap mbrëmë me mosmarrëveshjet e udhëheqësve se si të zgjidhjet kriza dy-vjeçare e borxhit që këcënon stabilitetin e ekonomisë botërore.

Franca dhe Gjermania kërkojnë ndryshimin e traktatit të Bashkimit Evropian për të përfshirë masa ndëshkuese për vendet që tejkalojnë buxhetet. Ata kërkojnë gjithashtu një taksë për të gjithë dhe një taksë të re për transaksionet financiare. Por Britania e Madhe që nuk e përdor euron, ka shprehur shqetësime se plani do të cënonte sovranitetin e saj.

Presidenti i Komisionit Evropian, Hose Manuel Barrozo u bëri thirrje qeverive të veprojnë në interesin e përbashkët evropian.

"Disa do të ngrenë pyetjen se çfarë bëhet me sovranitetin? Miq të dashur, nëse ne nuk ndërtojmë një demokraci evropiane krahas demokracive kombëtare, sovraniteti i vërtetë, sovraniteti material do të jetë ai i tregjeve, do të jetë ai i veprimit pa asnjë lloj kontrolli, do të jetë sovraniteti i vërtetë i tregjeve kundër sovranitetit të shteteve dhe qytetarëve të Evropës”.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Barak Obama u tha gazetarëve në Uashington se Evropa është mjaft e begatë për të zgjidhur krizën e borxhit, nëse udhëheqësit kanë vullnetin politik për të vepruar.

"Evropa është mjaft e pasur, prandaj nuk ka arsye se pse të mos e zgjidhë problemin. Ne nuk po flasim për disa vende të varfëra që nuk kanë burimet për të përballuar tregjet botërore dhe të kërkojnë ndihmë. Kjo është Evropa me disa nga vendet më të pasura të botës, të cilat sëbashku përbëjnë një nga tregjet më të mëdha botërore, nëse nuk përbëjnë tregun më të madh botëror”.

Ekonomia e vendeve të bllokut 17 anëtarësh që përdor euron ka patur probleme, por nuk ka ngecur aspak, megjithë se disa analistë thonë se ajo është zhytur në recesion. Banka Qendrore Evropiane hodhi një hap modest para takimit për të ncitur huatë, duke ulur interesin me 0.25 përqin, ulja e dytë në dy muaj.

XS
SM
MD
LG