Lidhje

Reagime të udhëheqësve botërorë për vrasjen e Gadafit

  • Zëri Amerikës

Reagime të udhëheqësve botërorë për vrasjen e Gadafit

Reagime të udhëheqësve botërorë për vrasjen e Gadafit

Udhëheqësit në mbarë botën po përshëndesin popullin libian për fillimin e një epoke të re pas vdekjes së Moamar Gadafit.

Presidenti Barak Obama tha se vrasja e Gadafit i jep fund një kapitulli të dhimbshëm për popullin libian. Presidenti foli sot në Shtëpinë e Bardhë. Ai tha se vitin e kaluar nocioni për Libinë e lirë ngjante i pamundur dhe e përgëzoi popullin libian që kërkoi të drejtat e veta.

Presidenti Obama tha se populli libian ka tani përgjegjësinë e madhe për të ndërtuar një vend "gjithëpërfshirës, tolerant dhe demokratik". Ai i bëri thirrje libianëve të vazhdojnë bashkëpuniminme komunitetin ndërkombëtar për të siguruar materialet e rrezikshme dhe të respektojnë të drejtat e bashkëkombësve të vet. Presidenti paralajmëroi se rruga drejt demokracisë së plotë do të jetë "e gjatë dhe e vështirë" dhe se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për ta ndihmuar popullin libian.

Sekretarja amerikane e Shtetit Hillary Clinton, e cila ndodhet për një vizitë në Afganistan, tha në një intervistë për Fox News se konfirmimi i vdekjes së Gadafit do të ishte një lajm çlirues. Ndërsa në një tjetër intervistë për televizionin CBS, ajo tha se edhe pse lajmi është i rëndësishëm, vdekja e Gadafit nuk do t’i jepte fund luftimeve në Libi.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki Mun tha se vdekja e Gadafit shënon një tranzicion historik për Libinë. Ai po ashtu u bëri thirrje të gjitha palëve ndërluftuese t’u japin fund luftimeve, duke paralajmëruar se vendi mund ta realizojë premtimin e së ardhmes përmes unitetit kombëtar dhe pajtimit”.

Senatori republikan Xhon Mekein bëri sot një deklaratë, ku thonte se vdekja e Gadafit shënon fundin e fazës së parë të revolucionit libian. Ai i bëri thirrje Shteteve të Bashkuara, aleatëve të tyre evropianë dhe partnerëve arabë, që të shtojnë mbështetjen për popullin libian. Presidenti i Bashkimit Evropian Herman Van Rompuy dhe Presidenti i Komisionit Evropian Hoze Manuel Barroso thanë përmes një deklarate se njoftimi për vdekjen e ish-udhëheqësit libian “shënon fundin e një epoke të despotizimit dhe shtypjes.”

Ndërsa shefja e politikës së jashtme të BE-së Kethrin Ashton e cilësoi rënien e Sirtes dhe të pushtetit të Gadafit, fundin e një epoke të despotizimit dhe shtypjes.”

XS
SM
MD
LG