Lidhje

Politika, mesazhe para votimit


Nishani: 21 qershori i rëndësishëm për negociatat me BE-në. Rama: Janë kushtet që zgjedhjet të shënojnë përparim cilësor. Basha lëshon akuza: Policia është bashkuar me bandat kundër opozitës

Në Shqipëri udhëheqësit kryesorë të vendit i bënë sot thirrje qytetarëve që të marrin pjesë masivisht në zgjedhjet vendore të së dielës. Por drejtuesit e dy kampeve më të mëdha politike dhanë vlerësime të ndryshme për situatën që i paraprin ditës së votimit. Ndërsa kryeministri Edi Rama tha se janë të gjitha kushtet që këto zgjedhje të shënojnë një përparim cilësor, kreu i opozitës Lulzim Basha foli për përpjekje të shumta sipas tij të shumicës për të prishur procesin

Udhëheqësit dhe zgjedhjet vendore
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:32 0:00

Presidenti Bujar Nishani, ashtu sic kishte bërë dhe në hapje të fushatës, sot sërish në mbyllje të saj ju drejtua me një mesazh qytetarëve duke i bërë atyre thirrje që të marrin pjesë në mënyrë masive në votime. Sipas tij “testi zgjedhor i datës 21 qershor, thuajse një vit nga marrja e Statusit të Vendit Kandidat, duhet të shërbejë si investimi kryesor për çeljen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian”.

E njejta thirrje për pjesmarrje dhe së njejtës rëndësi që këto zgjedhje kanë që vendi të avancojë në procesin e integrimit europian, i mëshuan dhe dy figurat kryesore të shumicës, kryeministri Edi Rama dhe kryetari i parlamentit Ilir Meta, partitë e së cilëve udhëheqin koalicionin e së majtës në zgjedhjet e së dielës. “Jam i bindur që janë kushtet që zgjedhjet të shënohen si një përparim i rëndësishëm cilësor. Duam që në numërim rezultati të jetë ai që kanë kërkuar dhe imponuar zgjedhësit. Dhe integriteti i këtyre zgjedhjeve për ne ka rëndësi themelore. Dhe për Shqipërinë dhe afrimin tonë të mëtejshëm më BE-në, nuk është e rëndësishme se kush fiton dhe sa fiton në numër bashkishë apo këshilltarësh, por është e rëndësishme të fitojmë një standart të ri”, u shpreh kryeministri.

Sipas zotit Rama, fushata e këtyre zgjedhjeve ka qenë më e qeta dhe ka shënuar një ndarje të qartë sipas tij mes shtetit dhe angazhimit të partive në pushtet në procesin zgjedhor. Nga ana e tij, zoti Meta, i cili është vënë në qendër të akuzave nga opozita vecanërisht në zonat ku kandidojnë përfaqësuesit e partisë së tij, tha se është e rëndësishme që qytetarët të votojnë të lirë dhe larg cdo lloj forme presioni: “Komisionerët, të gjithë vëzhguesit të garantojnë një proces normal, të evitojnë cdo lloj ndikimi përpara dhe gjatë momentit të votimit, sepse kjo është shumë e rëndësishme dhe e domosdoshme. Ftojmë cdo qytetar të denoncojë cdo formë presioni, përpjekje për deformim, apo blerje të votës dhe ftojmë policinë dhe prokurorinë të veprojnë kudo që kjo formë të shfaqet”.

Por kryetari i opozitës Lulzim Basha ofroi një panoramë tërësisht të ndryshme nga ajo e udhëheqësve të shumicës të cilët ai i akuzoi drejtpërdrejt për përdorimin e administratës në fushatë dhe angazhimin e saj në favor të kandidatëve të majtë. Zoti Basha shprehu shqetësim edhe për përfshirjen sipas të zyrtarëve të lartë të policisë në mbështetje të përfaqësuesve të pushtetit, ndërsa rreshtoi disa raste ku sic tha ai, njerëz të armatosur kanë kërcënuar qytetarët ndërsa policia nuk ka ndërhyrë: “Tritoli i para dy netëve në Fush-Krujë, përdorimi i armëve të zjarrit në disa zona të vendit, prania e bandave dhe intimidimi e goditja e simpatizantëve tanë në Shijak dhe shumë e shumë incidente të tejra tëraportuara kanë mbetur të gjitha pa autor sepse policia e shtetit është vënë në shërbim të bandave, dhe bandat janë thirrur në ndihmë nga Edi Rama dhe Ilir Meta për të kapur pushtetin vendor. Pavarësisht prej ndarjes së hartës ashtu sic e donin, pvarësisht vkedhjes së milionave që i kanë vjedhur dhe i kanë zhvatur qytetarëve shqiptarë, sot që flasim Edi Rama dhe Ilir Meta nuk janë të sigurtë për fitoren në asnjë bashki të vendit”

Menjëherë pas deklaratave të zotit Basha reagoi ministria e Brendhme përmes zëvendësministres Elona Gjebrea sipas së cilës, për të gjitha rastet janë marrë masat dhe janë kryer veprimet e duhura. Ajo kërkoi nga forcat politike që cdo rast ta denoncojnë në polici dhe të mos mbeten vetëm në deklaratat politike.

XS
SM
MD
LG