Lidhje

Ndeshja finale e UEFA 2016


Franca do të përballet sot me Portugalinë në ndeshjen finale të Kampionatit Evropian 2016, duke vazhduar të jetë skuadra që ka një numër rekord për pjesëmarrje në finale. Nga ana e asaj, Portugalia është skuadra që ka luajtur më shumë ndeshje në historikun e kampionateve evropiane, por pa arritur të fitojë kurrë kupën. Nën masa të forta sigurie, Parisi mirëpret sot mijëra tifozë entuziastë dhe përgatitet për festime në rrugë.

Franca do të ruajë sot rekordin e saj për pjesëmarrje në ndeshjet finale, ndërsa do të përpiqet t’i mohojë Portugalisë së Christiano Ronaldos shansin për të fituar titullin kampion.

Futbollistët francezë e kanë fituar titullin në tre nga katër ndeshjet finale të zhvilluara gjatë 32 viteve të fundit: në kampionatin evropian të vitit ’84, kupën e botës të vitit ’98, si dhe kampionatin evropian të vitit 2000.

Ndërsa Portugalia ka një rekord pjesëmarrjeje në 35 ndeshje në kampionatet evropiane, pa arritur asnjëherë të fitojë kupën e Evropës.

Ende e tronditur nga sulmet terroriste të vitit të kaluar, Franca shpreson lavdi nga heronjtë e saj futbollistë dhe të festojë në rrugët e Parisit, të cilat janë vendosur nën masa të rrepta sigurie.

Tifozë francezë qëndronin që herët në mëngjes përballë hotelit të skuadrës së tyre për të treguar mbështetje.

“Mendoj se kjo skuadër është simboli më i madh i Francës. I përfaqëson të gjithë francezët dhe mendoj se do ta bashkojë të gjithë Francën,” thotë Chir, një tifoz francez.

Ndërkaq në Lisbonë, njerëzit po bëhen gati me flamuj dhe banderola për përballjen me vendit organizator të kupës UEFA.

“Po, Portugalia do të fitojë. Kemi lojtarë si Ronaldo dhe Nani. Do fitojmë pa problem. Do të dalë Portugalia 3 dhe Franca 0,” thotë Hossain, pronar dyqani në Lisbonë.

Të tjerë tifozë portugezë u shfaqën që në orët e para të mëngjesit në aeroportin e Lisbonës për të udhëtuar me avionë të posaçëm drejt Parisit.

“Ronaldo do të shënojë dy gola sot dhe ne do të fitojmë në momentin e fundit 2 me 1. Kjo do të jetë dita më madhështore e Ronaldos,” thotë Rui Martin, tifoz portugez.

Megjithë besimin e jashtëzakonshëm të tifozëve portugezë, Portugalia nuk e ka mundur Francën që nga viti 1975, dhe historikisht nuk ka fituar kurrë ndaj saj në një përballje madhore.

XS
SM
MD
LG