Lidhje

Rusia skualifikohet me kusht nga Euro 2016


Federata Evropiane e Futbollit, vendosi të "skualifikojë me kusht" ekipin kombëtar rus dhe ta dënojë atë me 150 mijë euro gjobë, për shkak të përfshirjes së tifozëve rusë në përleshje të dhunshme në Marsejë.

Në një komunikatë të UEFA-s thuhet se kundër Unionit Rus të Futbollit janë ngritur akuza për "trazira, përdorim fishekzjarrësh dhe sjellje raciste".

Në komunikatë thuhet se komiteti i etikës vendosi që të japë dënimin me 150 mijë euro gjobë dhe skualifikim me kusht për ekipin rus deri në përfundim të Kampionatit Evropian.

Ky pezullim do të hyjë në fuqi, nëse incidente të ngjashme, ndodhin brenda stadiumit në cilëndo prej ndeshjeve të ekipit rus gjatë kampionatit.

Policia franceze filloi procesin e deportimit të 29 rusëve pas përplasjeve të dhunshme me tifozat britanikë në ditët e para të Kampionatit Evropian.

Mbi 35 vetë u plagosën në Marsejë të shtunën vonë, pasi tifozë britanikë dhe rusë u përleshën brënda dhe përreth stadiumit Velodrome. Pasi ndeshja përfundoi me barazim 1-1, tifozët rusë sulmuan ata britanikë, duke i detyruar që të largoheshin dhe të kapërcenin rrethimet në një përpjekje të dëshpëruar për të shpëtuar.

Kremlini e dënoi dhunën dhe u bëri thirrje rusëve që të mos u përgjigjen provokimeve në kampionat.

"Ngjarjet në Marsejë ishin të papranueshme. Të papranueshme për autoritetet, të papranueshme për shoqërinë dhe për admiruesit e futbollit. Kemi qenë dëshmitarë të dhunës mes përkrahësve të provokuar nga tifozë të dehur", tha ministri i brendshëm francez Bernard Cazeneuve.

Ky nuk ishte incidenti i vetëm në kampionatin që zgjat një muaj. Dhuna mes tifozëve irlandezë dhe banorëve vendas plagosi shtatë persona në Nisë.

Ministri i brendshëm francez Bernard Cazeneuve tha se u kishte kërkuar zyrtarëve vendas të vinin kufizime për shitjen dhe transportin e alkoolit në ditët e ndeshjeve, si dhe pranë zonave të tifozëve. UEFA organizoi zona ku tifozët nga të gjitha vendet inkurajohen të shohin ndeshje pranë njëri-tjetrit.

UEFA dënoi dhunën, duke thënë se “njerëzit e përfshirë në akte të tilla nuk kanë vend në futboll”.

Siguria është forcuar në 10 stadiume ku do të luhen ndeshje, dhe qeveria britanike ka ofruar të dërgojë më shumë policë në Francë para ndeshjes së radhës mes Anglisë dhe Uellsit të enjten në Lans.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG