Lidhje

Obama: Aleanca e bashkuar për Ukrainën


Presidenti amerikan Barack Obama tha se të 28 vendet anëtare në aleancën e Natos janë “plotësisht të bashkuara” në mbështetje të sovranitetit të Ukrainës, pavarësisë dhe integritetit territorial dhe së drejtës së saj për t’u vetmbrojtur. Presidenti i bëri komentet në përfundim të takimit të nivelit të lartë të Natos në Uells, ku anëtarët miratuan një forcë të përgjigjes së shpejtë për të përballuar kërcënimet në Evropën Lindore. Zoti Obama tha se aleanca e Natos do të mbështesë angazhimin e presidentit ukrainas Petro Poroshenko për një zgjidje paqësore të krizës. Ai i bëri thirrje Rusisë të ndalë shkeljen e integritetit territorial të Ukrainës. Në ditën e dytë të takimit të tyre, udhëheqësit e NATO-s miratuan krijimin e një force të ndërhyrjes së shpejtë, e aftë të reagojë me shpejtësi ndaj kërcënimeve që mund t’u vijnë vendeve anëtare të aleancës kudo në botë.

Ndërsa ministrat e mbrojtjes të 28 vendeve të aleancës u mblodhën për takimin e tyre në Uells, kryeministri britanik David Cameron parashtroi nevojën për krijimin e një force të ndërhyrjes së shpejtë në një botë me rreziqe të shtuara.

“Sot ndeshemi me rreziqe të reja dhe të ndryshme. Në Lindje, Rusia po prish rregullat e lojës, me aneksimin e Krimesë dhe me dërgimin e trupave në shtetin sovran të Ukrainës. Në Jug, një hark rreziqesh shtrihen nga Afrika e Veriut në Lindjen e Mesme. Mbrëmë, ne diskutuam për rreziqet që paraqet Shteti Islamik në Irak dhe Siri. Mesazhi ynë është i qartë: ne jemi të bashkuar në dënimin e këtyre akteve barbare. Terroristët duhet ta kenë të qartë se kërcënimet e tyre do të na bëjnë më të vendosur për të mbrojtur vlerat tona dhe për t’i mposhtuar ata”.

Zoti Cameron bëri thirrje për krijimin e një force shumëkombëshe, të aftë për t’u dislokuar kudo në botë me shpejtësi, brenda dy deri pesë ditësh.

Nga ana e tij Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen u tha gazetarëve se aleanca ka rënë dakort për planin e gadishmërisë që do të forcojë mbrojtjen e përbashkët të NATO-s.

“Në këto kohë të turbullta, NATO duhet të jetë e përgatitur për të kryer një sërë misionesh dhe të mbrojë vendet aleate nga një gamë e gjerë kërcënimesh. Ne kemi marrë masa të menjëhershme për të forcuar mbrojtjen”.

Zoti Rasmussen vuri në dukje se NATO e ka tashmë një forcë shumëkombëshe reagimi, dhe ajo për të cilën u ra dakort sot, shtoi ai, është rritja e gadishmërisë së kësaj force, për të qënë e aftë të dislokohet me shpejtësi.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s shtoi se vendet anëtare të aleancës ranë dakort të mbajnë një prani të vazhdueshme në tokë, në det dhe në ajër, në rajonet lindore të aleancës.

XS
SM
MD
LG