Lidhje

Ujë toksik në një qytet amerikan


Guvernatori i shtetit të Miçiganit po përballet me akuza se ka neglizhuar cilësinë e ujit në Flint prej shumë kohësh. Garda Kombëtare ka dërguar trupa shtesë në qytetin Flint, ku uji rezulton aq i ndotur me plumb saqë nuk mund të përdoret për t’u larë apo si ujë i pijshëm.

Rreth 70 anëtarë të Gardës Kombëtare janë dërguar në Flint për të ndihmuar me shpërndarjen e ujit, filtrave dhe paisjeve testuese për rreth 100 mijë banorë të cilët nuk mund të përdorin më ujin e çezmës.

Banorët në Flint kishin kohë që ankoheshin për aromën e çuditshme dhe ngjyrën e ujit që dilte nga çezmat, por asgjë me sa duket nuk u bë për gati një vit. Fëmijët e atjeshëm rezultojnë me nivele të larta të plumbit në gjak, çfarë do të thotë se rrezikojnë të pësojnë dëmtime të përhershme në tru.

Guvernatori Rick Snyder është në qendër të sulmeve për përgjigjen e ngadaltë të autoriteteve.

“Nëse fëmijët e një lagjeje të pasur të Detroit do të kishin pirë ujë të ndotur dhe do të ishin larë me të, do të ishin marrë masa. Kam dërguar një nga ndihmësit e mi kryesorë atje për të biseduar me kryetarin e bashkisë Flint, për të parë se si mundemi të ndihmojmë,” tha kandidatja presidenciale Hillary Clinton.

Presidenti Barack Obama shpalli të shtunën gjendjen e emergjencës federale në Flint, duke mundësuar kështu përdorimin e 5 milionë dollarëve asistence federale për të zgjidhur krizën e shëndetit publik, por ka refuzuar kërkesën e guvernatorit për shpalljen e gjendjes së katastrofës.

Aktivisti i të drejtave të njeriut, Jesse Jackson, u bëri thirrje banorëve në Flint që të luftojnë për të drejtat e tyre.

“Kjo është një katastrofë, jo thjesht një emergjencë. Duhet rrethuar gjithë qyteti me shirit të verdhë, pasi këtu në Flint është skenë krimi.”

Prodhuesi i filmave Michael Moore, i lindur në qytetin Flint, gjithashtu fajësoi guvernatorin dhe i bëri thirrje Presidentit Obama të vizitojë qytetin.

“Infrastruktura e ujit në këtë qytet është shkatërruar nga guvernatori i shtetit.”

Sistemi i furnizimit me ujë në Flint u ndot me plumb në fillim të vitit 2014, kur qyteti filloi të marrë ujë nga lumi për të kursyer para, derisa të ndërtohej një sistem i ri tubacionesh. Uji shkaktoi gërryerje të tubacioneve prej plumbi.

Qyteti rifilloi të furnizohet me ujë nga liqeni muajin e kaluar, por tashmë janë dëmtuar tubacionet.

Zyrtarët e shtetit janë duke u hetuar për këtë çështje.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG