Lidhje

Ujësjellësi i Tiranës integron periferitë, investime dhe vështirësi


Ujësjellësi i Tiranës futi nga dita e sotme në rrjetin e furnizimit të rregullt me ujë të pijshëm mbi 30 mijë konsumatorë në zonën problematike, e njohur si kodra e priftit. Ndërtimet e parregullta dhe lidhjet e parregullta e vështirësuan mjaft furnizimin me ujë të pijshëm kësaj lagjeje me dhjetëra mijë banorë, e cila tashmë iu kthye normalitetit.

Investimi te kodra e priftit po kryhet paralel me ndërtimin e dy depove të reja me kapacitete mbi 25 mijë metër kub në qytetin studenti dhe në kinostudio, dhe rindërtimit të depove ekzistuese, punë që do të përmirësojnë ndjeshëm furnizimin me ujë të pijshëm të kryeqytetit.

Drejtori i kompanisë ujësjellës kanalizimeve Sahit Dollapi, thotë se “UKT po punon aktualisht në ndërtimin e 20 projekteve për menaxhim të burimeve natyrore, sistemim të zonave informale, përmirësim rrjetit shpërndarës”. Një punë po aq e madhe po bëhet edhe për mbledhjen e pagesave të prapambetura, dhe në prerjen e lidhjeve të paligjshme. Ujësjellësi nuk po toleron asnjë klient privat apo shtetëror që nuk paguan faturat e ujit. Institucione shtetërore dhe biznese e qytetarë privatë i kanë borxhe ujësjellësit shuma të konsiderueshme faturash të papaguara, të cilat përsëri investohen në përmirësimin e rrjetit.

Ujësjellësi e ka bërë tashmë të zakonshme që të gjithë investimet i kryen me fondet e veta, pa ndonjë ndihmë nga burime të tjera. Tirana nuk ka sot asnjë zonë që të mos furnizohet me ujë. Rezervat natyrore mjaftojnë edhe për një qytet sa dyfishi i Tiranës aktuale – thonë ekspertët – ndaj ato biznese dhe familje që nuk kanë ujë, ose u është prerë për mospagesa, ose kanë dëmtuar vetë rrjetin.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG