Lidhje

Ujësjellësi i Tiranës investime dhe vështirësi


“Investimet po bëhen që të zgjaten oraret e furnizimit me ujë të pijshëm në familje” - thotë Luan Peti, drejtues i departamentit inxhinierik.

Ndërmarrja e ujësjellësit të Tiranës sapo ka përfunduar ndërtimin e 3 rrjeteve të mëdha të transmetimit të ujitë pijshëm në Kashar, Laknas dhe rruga Siri Kodra, të cilat do të furnizojnë me ujë banorët e Unazës së Re, Yzberishtit, Bregut të Lumit, deri tek lagjet pranë trenit. Investimet e reja furnizojnë normalisht me ujë rreth 30 mijë familje. Ndërkohë është ndërtuar edhe një depo e re uji pranë Qytetit Studenti.



“Të gjitha investimet po bëhen me synimin e vetëm që të zgjaten oraret e furnizimit deri në furnizimin 24 orë me ujë të pijshëm në familje” - thotë Luan Peti, drejtues i departamentit inxhinierik.

Në bllokun e Selitës janë 1100 pallate që po pajisen me matësadhe linja të reja. Drejtori i Ujësjellësit të Tiranës, Sahit Dollapi, thotë se “investimet e konsiderueshme që po kryhen janë duke ecur paralel me prerjen e lidhjeve të paligjshme, vendosje sahatësh, shtrirje linjash të reja dhe mbledhjen e parave të debitorëve përmes firmosjes së kontratave të reja”.

Pasi ka përfunduar të gjithë rrjetin e transmetimit nga burimet në depo, ujësjellësi i Tiranës ka nisur edhe sistemimin e rrjetit kapilar të shpërndarjes pranë çdo banese, sidomos tek pallatet e vjetra mbi 30-50 vjeçare, të cilat kanë tubacione të rrezikshme për shëndetin. Aty po shtrohen tuba të reja dhe po vendosen matësa të rinj me kontrata të reja, në mënyrë që furnizimi me ujë të jetë sa më cilësor. Për vite më radhë Tirana ka vuajtur nga furnizimi i pakët me orar i ujit të pijshëm.

Specialistët pohojnë se burimet natyrore të ujit të pijshëm që rrethojnë Tiranën janë të mjaftueshme për të mbajtur edhe dyfishin e banorëve ekzistues në kryeqytet me furnizim të rregullt, por tani ndërmarrja po mirëmenaxhohet dhe problemi kryesor mbetet mosdëmtimi i rrjetit të ri me ndërhyrje të paligjshme dhe mbledhja e parave nga faturat e papaguara.
XS
SM
MD
LG