Lidhje

Burimet e ujit dhe energjia në Perëndimin Amerikan


Burimet e ujit dhe energjia në Perëndimin Amerikan
Burimet e ujit dhe energjia në Perëndimin Amerikan

Shkencëtarët thonë se thatësirat e gjata dhe temperaturat në rritje ishin faktorët kryesorë për zjarret që shkatërruan mijëra hektarë pyje në perëndimin e Shteteve të Bashkuara vitin e kaluar. Ata parashikojnë se këto kushte mund të vazhdojnë të kërcënojnë si pyjet e rajonit edhe burimet e pakta ujore të tij. Tani një ekip shkencëtarësh nga New Mexico po përpiqen të riparojnë dëmet e shkaktuara në tokën pyjore. Ata po përpiqen gjithashtu të ruajnë burimet ujore që thatësira i ka bërë më të pakta. Zulima Palacio e Zërit të Amerikës vizitoi rajonin dhe ka përgatitur kronikën.

Kjo quhet zona Valles Caldera. Aktualisht, është krateri gjigand i një vullkani të fjetur që shpërtheu herën e fundit 40 mijë vjet më parë. Në mijëvjeçarët qysh atëherë, në terren u rritën pyje të larta, që kishin ujë të bollshëm dhe një ekosistem të pasur. Sot kjo zonë është një pasuri kombëtare.

Por vitin e kaluar, mbi 32,000 hektarë pyll në Valles Caldera si dhe në disa shtete të tjera të jugperëndimit amerikan u shkatërruan nga zjarret më të rënda në një shekull. Bob Parmenter është shkencëtar në qendrën kombëtare Valles Caldera.

"Zjarri shkatërroi 17 mijë hektarë në 14 orë. Për t’jua përshkuar vizualisht, është sa një fushë futbolli e djegur në 2 sekonda."

Parmenter thotë se ka disa faktorë të këtij zjarri: periudha dimri më të shkurtra me më pak dëborë përgjatë Maleve Rocky, ku burojnë disa lumenj, si dhe vera të zgjatura dhe më të nxehta me më pak rreshje.

David Brown është drejtor në Administratën Atmosferike dhe Oqeanike të njohur si NOAA.

Ai thotë se thatësira po shterron burimet ujore:

"Një nga thatësirat më të rënda në 100 vitet e fundit po ndodh tani në jugperëndim."

Si rezultat, më shumë se 100 shkencëtarë po punojnë në Valles Caldera në përpjekje për të rikthyer balancën ekologjike në rajon, përmes ripyllëzimit dhe mbrojtjes së burimeve ujore.

Sfidat janë të mëdha. Një studim nga Akademia Gjeologjike amerikane thotë se ka një pakësim prej 30 deri 60 për qind të shtresës së dëborës së ngrirë në Malet Rocky. Gregory Pederson, shkencëtar për klimën mori pjesë në studim.

"Të gjitha burimet ujore të nevojshme për të mbështetur shoqëritë dhe ekosistemet vijnë kryesisht nga dëbora. Në këtë pjesë të botës, shumica e ujit vjen nga dëbora, gati 60 deri 80 përqind."

Shifrat nga disa dekada të fundit tregojnë se lumenj si Jemez ((pron. HAY-mez)) – siç shihen në burimin e tij – kanë humbur gati 40 përqind të ujit.

Pemët luajnë një rol të rëndësishëm në ruajtjen e ujit thotë Bob Parmenter në qendrën për Ruajtjen në Valles Calderas:

"Nga llogaritje të matura këtu del se vetëm hija rrit ruajtjen e ujit nga bora me gati 22 përqind. Pasi ta rehabilitojmë këtë pyll, shpresojmë të shtohet niveli i ujit në lumenj ndërsa klima vazhdon të ndryshojë."

Parmenter dhe ekipi i tij thotë se ripyllëzimi dhe ekosistemi në këto male do të ndihmojë në sigurinë e burimeve ujore në rajon ndaj thatësirave dhe ndryshimeve klimatike në të ardhmen.

Ekipi ka filluar të rrallojë këtë pyll me synimin për të pakësuar gjasat për zjarre në të ardhmen.

XS
SM
MD
LG