Lidhje

Ujrat toksike kërcënojnë Johanesburgun


Ujrat toksike kërcënojnë Johanesburgun
Ujrat toksike kërcënojnë Johanesburgun

Zbulimi i rezervave të arit ishte arsyeja e themelimit dhe rritjes së Johanesburgut. Por një shekull më pas, minierat që i dhanë emrin Qyteti i Artë, përbëjnë tani kërcënim. Ujrat toksikë janë grumbulluar në galeritë e minierave të braktisura dhe mund të rrjedhin në lumenj dhe përrenj.

"Ky ishte dikur një liqen shumë popullor për aktivitete argëtuese. Si rezultat i ujrave acide të minierave që kulluan në vitin2002, Liqeni Robinson është shpallur sot një pellg radioaktiv. Niveli i uraniumit këtu u mat në vitin 2002 dhe ishte 40 mijë herë më i lartë sesa niveli normal në ujërat e ëmbla”.

Ndërsa kalon shenjën e radioaktivitetit të varur në gardhin rrethues të liqenit, Mariette Liefferink u përgjigjet pyetjeve nga një grup studiuesish dhe vizitorësh. Ajo është shefe ekzekutive e Federatës për Mjedis të Qendrueshëm. Për vite, ajo u ka treguar njerëzve qendrat e ndotura të minierave dhe ka dhënë alarmin.

"Do të masim nivelin e pehashit që siç e shikoni është 2. Ky nivel është i ngjashëm me atë të limonit. Pra kjo do të thotë se asgjë nuk mund të jetojë në këto ujra."

Zhvendosemi në Randfontein, 45 kilometra nga Johanesburgu. Këtu ujrat toksike filluan të dalin në tokë 10 vjet më parë. Uji është portokalli, i helmuar me minerale radioaktive dhe ka një erë të fortë aciditeti.

Ky është rezultati i gërmimit masiv në kërkim të arit deri në vitet 1970 kur shfrytëzimi i minierave në këtë zonë ndaloi dhe galeritë e minierave u braktisën. Po ashtu u braktisën edhe pompat që përdoreshin për drenazhimin e tuneleve. Kështu që ujrat u grumbulluan, duke oksiduar mineralet në mure dhe duke krijuar acid sulfurik që pas shirave, kullon në tokë dhe liqene.

Ferma e Nico Jacobsit shtrihet në mes të një zone bujqësore. Përreth shtëpisë së tij, ka fusha të mbjella dhe bagëti sa të sheh syri. Ai thotë se familja e tij e di se uji që përdorin nuk është normal.

"Vajza ime tetë vjeçare, bëri banjë mbrëmë dhe uji ishte i ndotur. Mund të shihni shenjat blu të mbetura në anën e vaskës."

Jacobs thotë se uji toksik po i dëmton biznesin. Ai kishte 200 kokë gjedhë por tani i kanë mbetur vetëm 46. Ai fajëson ndotjen.

Zonat e prekura nuk janë vetëm në fshat. Johanesburgu shtrihet mbi një minierë ari dhe pirgjet e dheut të gërmuar janë kujtesa vizuale të historisë së qytetit. Edhe një park madhor argëtues në qendër të qytetit ofron një vizitë përmes një tuneli miniere.

Ekspertët thonë se kostoja e pastrimit të minierave të braktisura do të jetë shumë e madhe dhe mund të shtohet me rënien e industrisë së minierave në Afrikën e Jugut – një nga pesë vendet më të mëdha të prodhimit të arit në botë. Anthony Turton është specialist i menaxhimit të burimeve ujore. Ai thotë se problemi është i komplikuar.

"Nëse vazhdojmë ta injorojmë, Afrika e Jugut do të vazhdojë të humbasë besimin e investitorëve. Kjo nuk është e mirë për askënd. E dyta, do të ketë gjithnjë probleme të shëndetit dhe kjo do të dobësojë edhe më tej besimin e investitorëve. E treta që do të ndodhë është se po rritet niveli i kripës në lumenj, gjë që rrit nivelin e kripës në tokat bujqësore. Si rezultat do të bjerë kapaciteti i vendit për të përmbushur nevojat e tij ushqimore."

Qeveria është e vetëdijshme se një zgjidhje ka qënë e nevojshme që nga mesi i viteve 1990. Problemi është se ka patur pak ose aspak rregulla të industrisë së minierave nën regjimin e aparteidit dhe shumica e kompanive që kanë qënë aty nuk pranojnë përgjegjësi.

Vitin e kaluar një grup ekspertësh propozoi një seri masash për të pastruar ujin. Por një zgjidhje e qëndrueshme ka një kosto katër herë më të lartë sesa ç’mund të përballojë buxheti për ministrinë e ujrave për tre vjetët e ardhshme.

Qeveria dhe disa kompani të minierave si AngloGold Ashanti – po punojnë për zgjerimin e përpjekjeve në mënyrë që të gjejnë mënyrat për të hequr ujrat toksikë duke përballuar koston.

XS
SM
MD
LG