Lidhje

Ukrainë: Urdhër arresti për presidentin e rrëzuar Janukoviç


Oleksander Turchynov

Oleksander Turchynov

Ukraina ka lëshuar një urdhër arresti për presidentin e rrëzuar Viktor Janukoviç, duke e akuzuar atë dhe zyrtarë të tjerë për vrasje masive të protestuesve. Ministri i Brendshëm në detyrë, Arsen Avakhov e njoftoi urdhërin sot në një deklaratë të bërë në Facebook.

Ministri i brendshëm në Detyrë tha se zoti Janukoviç është parë për herë të fundit në rajonin prorus të Krimesë, por vendndodhja e e saktë e kreut të rrëzuar të shtetit nuk është e qartë.

Ndërkohë, shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian Catherine Ashton shkon sot në Ukrainë, për takime me udhëheqësit e rinj të përkohshëm, të cilët synojnë që vendi i tyre të ketë lidhje më të ngushta me Bashkimin Evropian.

Zyra e zonjës Ashton tha se vizita e saj në Kiev përfshin diskutime mbi mënyrat se si Bashkimi Evropian mund të ndihmojë në stabilizimin politik dhe ekonomik të Ukrainës.

Dje, Kryetari i parlamentit Oleksandr Turchynov, aleat i vjetër i ish-Kryeministres Julia Timoshenko, u ngrit në postin e presidentit të përkohshëm të vendit, pas një votimi në parlament:

"Përparësia jonë është kthimi në rrugën e integrimit evropian ku edhe filloi beteja. Ne na duhet të kthehemi në familjen e vendeve evropiane dhe të kuptojmë rëndësinë e marrëdhënieve me Federatën Ruse, të gatshëm për të ndërtuar marrëdhënie të një partneriteti të ri e të drejtë të fqinjësisë së mirë," tha zoti Turchynov.

Zoti Turchynov ka premtuar krijimin e një qeverie të re deri të martën dhe ligjvënësit kanë kërkuar mbajtjen e zgjedhve të reja më 25 mars.

Në Ukrainë ka një ndarje të thellë mes atyre që janë për të favorizuar marrëdhëniet me Evropën dhe atyre lidhje më të ngushta me Rusinë. Presidenti i rrëzuar Janukoviç hoqi dorë nga mbështetja për një marrëveshje tregtare me Bashkimin Evropian në nëntor, duke shkaktuar protesta që çuan në largimin e tij nga posti.

Ndërkohë, protestuesit anti – qeveritarë vazhduan të qëndrojnë në kampin e tyre në Sheshin e Pavarësisë të Kievit, megjithë votimin e parlamentit për të rrëzuar presidentin Janukoviç gjatë fundjavës.
XS
SM
MD
LG