Lidhje

Ukrainë: Sot referendumi në Donetsk dhe Luhansk


Banorët e dy rajoneve në Ukrainën lindore, të kontrolluara nga kryengritësit pro – rusë, sot po sfidojnë qeverinë qendrore të Kievit duke votuar në referendumet e debatueshme për pavarësi. Referendumet, të cilat autoritetet e Ukrainës dhe Perëndimi i kanë hedhur poshtë, duke i quajtur të paligjshme, kanë për qëllim shpalljen e të ashtuquajturave republikave sovrane në rajonet e Donetskit dhe Luhanskit, ku rebelët pro-rusë pushtuan ndërtesat qeveritare dhe u përleshën me policinë dhe trupat ukrainase gjatë muajit të kaluar. Qendrat e votimit u hapën në orën 8 të mëngjesit dhe pritet të mbyllen në orën 10 të mbrëmjes.

Organizatorët e referendumit thonë se pritet një pjesëmarrje të lartë, edhe pse situata e sigurisë rreth zonave ku po zhvillohet votimi mbetet e paqëndrueshme.

Ka patur njoftime për përleshje sporadike, por situata mbetet e qetë në shumicën e zonave të këtyre rajoneve, me një popullsi prej 6.5 milionë banorësh, ndërkohë që po zhvillohet procesi i votimit.

Në Spartak, një fshat në veri të Donetskit, pati probleme me votimet.

Fshatarët nuk ishin në gjendje të votonin për rreth tre orë, pasi zyrtarët e referendumit nuk arritën t’i sillnin kutitë e votimit.

Pas debateve mes banorëve lokalë dhe kreut të këshillit të fshatit, një organizator i zgjedhjeve solli disa kuti kartoni, të cilat i mbylli me ngjitëse.

Jashtë qendrës së votimit, të ngritur në një klub fshati, një banor lokal u ankua për cilësinë e kutisë së votimit.

Shumica e pjesëmarrësve në votim thanë se kishin votuar në favor të autonomisë dhe kundër qeverisë së përkohshme.

Irina Zelyonova, thotë se është kundër qeverisë së Kievit dhe zgjedhjeve të 25 majit në Ukrainë:

“Votova sepse nuk jam dakord me atë që po ndodh në vend. Dua të shoh ndryshime për të mirë. Ajo që do të ndodhë më 25 maj nuk është e drejtë dhe nuk është në interesin tonë. Për këtë arsye unë po votoj sot”.

Ndërsa, Leonid Soluyanuk, një banor ukrainas i këtij rajoni, e vë në dyshim legjitimitetin e referendumit:

“Ky referendum nuk përfaqëson vullnetin e popullit, por është organizuar nga tradhëtarët dhe të dërguarit e rusëve. Synimet e tyre janë të qarta, ata duan ta copëtojnë Ukrainën. Shumë njerëz janë mashtruar dhe mendojnë se Rusia do t’u ofrojë atyre mbështejtje ekonomike”.
Referendumet e organizuara me ngut janë të ngjashme me referendumin e marsit në Krime, ku u votua pro shkëputjes nga Ukraina.

Krimea më pas u aneksua nga Rusia.

Por organizatorët e referendumit të sotëm kanë thënë se ata do të vendosin më vonë nëse do të përdorin sovranitetin e tyre për të kërkuar pavarësi të plotë, bashkim me Rusimë apo për të mbetur pjesë e Ukrainës, por me një autonomi më të madhe.

Ukraina dhe Perëndimi e kanë akuzuar Rusinë për nxitje dhe orkestrim të trazirave në lindje, me qëllim destabilizimin e Ukrainës, apo gjetjen e një preteksti për pushtim. Rusia i ka hedhur poshtë këto akuza.
Duke patur parasysh që nuk ka asnjë mision ndërkombëtar mbikqyrës, nuk dihet me saktësi se si ka qenë pjesëmarrja në votime.
XS
SM
MD
LG