Lidhje

Usackas: Në pikëpyetje marrëveshja për Ukrainën


Kreu i delegacionit të Bashkimit Evropian në Rusi ka vënë në dyshim efektivitetin e marrëveshjes së javës së kaluar të arritur me synimin për të ulur tensionet në Ukrainë. Vygaudas Usackas bëri komente para gazetarëve lidhur me marrëdhëniet BE-Rusi, ndërkohë që Ukraina i ka kërkuar Moskës të japë shpjegime për manovrat ushtarake pranë kufirit të saj.

Zoti Usackas thotë se nuk ka zgjidhje magjike për problemet e Ukrainës. Marrëveshjet e Gjenjevës janë platforma e vetme e arritur me mirëkuptim shumëpalësh për gjetjen e një zgjidhjeje, por ajo mund të mos jetë e efektshme:

“Për fat të keq, në pjesën lindore të Ukrainës kemi parë përparim të vogël, ose aspak përparim lidhur me zbatimin e marrëveshjeve të Gjenevës, kur është fjala për çarmatosjen e grupeve paraushtarake”.

Zoti Usackas i bëri thirrje Rusisë të shtojë përpjekjet për të qetësuar situatën. Në Ukrainën lindore luftimet e djeshme mes forcave ukrainase të sigurisë dhe aktivistëve pro-rusë lanë të vrarë të paktën pesë aktivistë. Presidenti rus Vladimir Putin e cilësoi incidentin “krim” dhe kërcënoi se do të ketë pasoja.

Usackas foli për operacionet e qeverisë ukrainase:

“Respektojmë të drejtën e qeverisë ukrainase për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial, por njëkohësisht u bëjmë thirrje të gjitha palëve, përfshirë qeverisë ukrainase, të shmangin aktet provokuese”.

Ndërkohë që zoti Usackas bëri thirrje për hapa drejt paqes, forcat ruse të dislokuara pranë kufirit me Ukrainën filluan manovrat ushtarake në përgjigje të operacioneve të Kievit. Usackas tha se mund të vendosen sanksione të reja kundër Rusisë.

“Po punohen në kuadër të Komisionit Evropian për të përgatitur një paketë të tretë sanksionesh që mund të përfshijnë masa ekonomike”.

Ai tha se sanksionet mund të intensifikohen nëse marrëveshjet e Gjenevës dështojnë. Këto sanksione ka gjasa të përfshijnë ndalime udhëtimesh dhe ngrirje zotërimesh, por jo embargo të gazit dhe naftës.

“Të dyja palët janë shumë realiste se për të ardhmen e parashikueshme ato do të mbeten të varura nga njëra-tjetra. Lidhur me bashkëpunimin energjetik, Rusia ka nevojë për të ardhura nga hidrokarburet dhe Evropa ka nevojë për gaz rus”.

Zoti Usackas tha se në tregun e sotëm global, Bashkimi Evropian duhet të mendohet mirë për synimet madhore në marrëdhëniet e tij me Rusinë. “Federata ruse, tha ai, është e ndryshme nga ajo që kishim imagjinuar dhe veprimet tona duhet t’i përshtaten realitetit”.

Për momentin këto realiteti është i paqartë dhe diplomacia po përpiqet të mos lejojë që shkëmbimet e akuzave të shndërrohen në shkëmbime të shtënash.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG