Lidhje

Problemi i gazit në Ukrainë


Banorët në Kiev dhe qytete të tjera të Ukrainës iu është dashur të përballen me mungesë të ujit të ngrohtë, pasi qeveria mbylli kaldajat komunale për shtëpitë e banimit për të kursyer energji. Kjo ndodh mes shqetësimeve në rritje rreth mundësisë së Ukrainës për të mbijetuar dimrin e ardhshëm pas vendimit të Rusisë në qershor për të ndërprerë furnizimet me gaz. Por ukrainasit po dislokojnë një armë të re në luftën e tyre për gaz me Moskën.

Natascha dhe djali i saj një vjeçar Sascha po shijojnë diellin e ngrohtë në Kiev. Por në shtëpi, Natascha thotë se kujdesi për një foshnje është i vështirë për shkak të mungesës së ujit të ngrohtë.

“Nuk mund t’i bëj banjë, nuk mund të laj enët. Gjërat elementare të nevojave njerëzore janë uji i ngrohtë dhe elektriciteti. Në se nuk i ke këto gjëra bazë, si mund të jetosh?”

Shtëpitë e banimit të periudhës sovjetike në Kiev ngrohen dhe furnizohen me ujë të ngrohtë nga kaldaja komunale. Ky system mbyllet për një javë çdo verë për t’u pastruar.

Por autoritetet njoftuan këtë javë se uji i ngrohtë nuk do të kthehet përsëri deri në tetor për të ruajtur furnizimet me gaz për në dimër.

Është mes i verës në Ukrainë, është nxehtë dhe për njerëzit nuk është aq problem uji i ngrohtë apo ngrohja. Por në pak muaj temperaturat do të bien dhe bora dhe akulli do të kthehen. Ukraina duhet të mbijetojë dimrin pa gazin e lirë nga Rusia.

Vitet e kaluara, Ukraina është mbështetur tek gazi i lirë nga Rusia. Por Moska i ndërpreu furnizimet në qershor pas mosmarrëveshjeve mbi pagesat e prapambetura.

Zëvendës drejtori i firmës shtetërore ukrainase të gazit Naftogaz, Oleksandr Todiichuk, thotë se populli duhet të përgatitet për kohë të vështira.

“Ukrainën e pret një dimër i vështirë. Tani për tani ka rreth 15 miliardë metra kubë gaz në rezervat tona. Kjo është gati një e treta e asaj që Ukraina konsumon normalisht çdo vit.”

Todiichuk tregon në hartë platformat e gazit ukrainas në Detin e Zi, që ai thotë se tani janë nën kontrollin e Rusisë pas vendimit të Moskës për të aneksuar me forcë Krimenë në mars.

E përballur me një krizë energjie, Ukraina po dislokon një armë të re në luftën e saj të gazit me Rusinë: efikasitetin e energjisë.

Një lëvizje e quajtur Evolucioni i Energjisë: Kurse Energji, Shpëto Ukrainën – përdor video si kjo – një parodi që ka një skenë nga filmi Psycho – për të treguar harxhimin e energjisë. Polina Bashkina është zëdhënëse e organizatës.

“Synimi i parë është për të informuar ukrainasit të kursejnë energji pasi është mirë për ekonominë. E dyta është për të pakësuar rritjen e kostos së gazit, pasi ato do të vazhdojnë të ngrihen dhe në vjeshtë do të shohim fatura më të larta. Së treti, synimi afatgjatë është ta bëjmë Ukrainën një vend të pavarur nga energjia.”

Zonja Bashkina këmbëngul se synimi afatgjatë është i arritshëm, megjithë mbështetjen historike të Ukrainës tek energjia ruse.

“Nëse e trajtojmë energjinë me efikasitet mund të kursejmë gati gjysmën e saj, rreth 45-48 përqind. Kjo shifër e kthyer në gaz është gati 29 miliardë metra kub, më shumë sesa kemi blerë nga Rusia në vitin 2013.”

Sllovakia fqinje ka thënë se do të lejojë të ashtuquajturat rezerva të gazit nga Bashkimi Evropian për në Ukrainë – duke i ofruar Kievit një litar shpëtimi për dimrin. Ndërkohë, aktivistët thonë se qytetarët ukrainas duhet të kursejnë energji dhe të sigurojnë pavarësi nga Rusia.

XS
SM
MD
LG