Lidhje

Sekretari Kerry, takim me opozitën ukrainase


Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry do të takohet me anëtarë të opozitës ukrainase, të cilët kanë udhëhequr protestat anti-qeveritare që prej muajit nëntor.

Gjatë vizitës në Gjermani, Sekretari Kerry do të takohet me politikanin e opozitës Arseny Yatsenyuk dhe ish-kampionin e boksit të kthyer në aktivist të opozitës, Vitali Klitschko.

Protestuesit kanë shprehur gjithashtu zemërim pasi aktivisti i opozitës Dmytro Bulatov, i zhdukur që prej datës 22 janar, u gjet dje pranë Kievit me plagë në fytyrë. Zoti Bulatov tha se ishte rrëmbyer nga persona të panjohur dhe ishte mbajtur prej tyre për ditë me radhë para se të braktisej në një pyll. Ai tha se eci deri në një fshat aty pranë, nga ku telefonoi miqtë e tij.

Zyra e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut i bëri thirrje Presidentit Janukoviç që të hetojë njoftimet e fundit për vdekje, rrëmbime dhe tortura gjatë trazirave politike në vend. Një zëdhënës i Komisioneres së Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Navi Pillay tha se komisionerja është "e tronditur" nga këto njoftime.
Ndërkohë, presidenti Janukoviç shfuqizoi sot ligjet kufizuese kundër protestuesve. Ai nënshkroi dekretin për shfuqizimin e legjislacionit kundër protestave, i miratuar pak javë më parë.

Zyrtarët thonë se Presidenti Janukoviç ka marrë pushime për arsye shëndetësore, por disa ukrainas ngrejnë dyshime lidhur me kohën e mungesës së presidentit.
Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës publikoi një deklaratë ku citon zyrtarë ushtarakë që kritikojnë veprimet e Presidentit Janukoviç, duke i bërë thirrje të marrë "masa të menjëhershme" për të stabilizuar situatën në vend. Sipas deklaratës të vendosur në faqen e internetit të ministrisë së Mbrojtjes, gjatë një takimi sot me ministrin, ushtarakët e kanë cilësuar si të “papranueshme” marrjen nën kontroll me forcë të institucioneve shtetërore nga protestuesit.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG