Lidhje

Kiev, shqetësim për luftime të reja në verë


Po shtohen shqetësimet se armëpushimi i trazuar tre-mujor në Ukrainë mes forcave qeveritare dhe kryengritësve të mbështetur nga Rusia mund të dështojë plotësisht pas shpërthimit të një konflikti të hapur dhe të bllokojë përpjekjet për zbatimin e një marrëveshjeje për paqe.

Armëpushimi i fundit u arrrit në Minsk në muajin shkurt si hapi i parë në një marrëveshje më të gjerë politike që u trumpetua si shpresa e fundit më e mirë për një zgjidhje të krizës në Ukrainë. Përpjekje të mëparshme për arritjen e një marrëveshjeje kishin fokus më të ngushtë dhe dështuan me shpërthimin e përleshjeve sporadike.

Pavarësisht nga qetësia relative e kësaj jave, Misioni i Organizatës për Sigurimin dhe Bashkëpunimin në Evropë për Ukrainën (OSCE SMM) vërejti një shtim të rasteve kur është shkelur armëpushimi, përfshirë transportimin e armatimeve të rënda.

Numri dy i misionit vëzhgues të OSBE-së, Alexander Hug tha të enjten në komentet për shtyp në Kiev se konflikti ishte më i theksuar përreth aeroportit të Donetskut të kontrolluar nga kryengritësit dhe qytezës Shyrokyne në brigjet e detit Azov, që ndodhet në gjysmë të rrugës nga kufiri rus për në qytetin port të Mariupolit, që kontrollohet nga forcat e qeverisë ukrainase.

Zoti Hug tha se bisedimet e kësaj jave në Minsk i dhanë atij përshtypjen se qëndrimet e palëve lidhur me masat që duhen marrë për të ulur tensionet në Shyrokyne nuk janë shumë të ndryshme dhe se po diskutohet një tërheqje e mundshme për të qetësuar situatën. Por ai shtoi: - “Vërejmë me shqetësim se perimetri gjeografik i konfliktit duket se po përhapet në zonat e banuara të Horlivkas, në veri të Debaltseves”.

Zoti Hug tha se të dyja palët në rastin më të mirë “po respektojnë vetëm pjesërisht” marrëveshjen e Minskut për tërheqjen e armatimeve të rënda. Misioni i OSBE-së për Ukrainën njoftoi praninë dhe lëvizjen e tankeve, automjeteve për transportimin e trupave, armatimeve të artilerisë, raketa-lëshuesve, nga magazinat ku duhet të mbahen.

Mjete vëzhgimi nga ajri të OSBE-së vrojtuan së fundmi një sistem raketash tokë-ajër në territorin e Oktyabrit, të kontrolluar nga kryengritësit, rreth 25 km nga Mariupoli.

Kievi, i shqetësuar për mundësinë e një ofensive në verë

Prej muajsh, Kievi ka shprehur shqetësimin se kryengritësit e mbështetur nga Moska synojnë të marrin Mariupolin në mënyrë që të kenë dalje në det dhe ndoshta me planet për të avancuar më tej drejt perëndimit për të formuar një urë tokësore mes Rusisë dhe Krimesë – gadishullit në detin e Zi që Kremlini e aneksoi vjet. Kryengritësit e morën për pak kohë nën kontroll Mariupolin një vit më parë, para se forcat ukrainase t’i sprapsnin nga qyteti.

Në qytet, banorët janë të përçarë në mbështetjen e tyre për palët në konflikt. Pjesa më e madhe e analistëve besojnë se nëse marrin urdhër, separatistët e mbështetur nga Moska mund ta marrin nën kontroll qytetin-port. Autoritetet ukrainase thonë se që pas nënshkrimit të armëpushimit, të paktën 83 ushtarë ukrainas janë vrarë, përfshirë tetë të vrarë nga e hëna. Në një intervistë të mërkurën për rrjetin BBC, Presidenti ukrainas Petro Poroshenko tha se beson që separatistët po përgatiten për një ofensivë në verë.

Drejtori i Qendrës Carnegie në Moskë, Dmitri Trenin thotë se separatistët nuk do të hidhen në veprim pa miratimin e Presidentit rus Vladimir Putin. Ai argumenton se komentet e fundit të zotit Putin, ku presidenti rus lavdëron aleatët perëndimorë gjatë Luftës II Botërore, sinjalizojnë zbutje të veprimeve në Ukrainë, që për Kremlinin ka shërbyer si skenë e betejës për influencë me Perëndimin.

“Për mua, ajo që sinjalizojnë komentet, është se tendenca e Kremlinit është drejt një përpjekjeve për të gjetur pika të përbashkëta,” thotë zotit Trenin. “Mund të jetë një përpjekje e pjesshme, e mangët dhe ndoshta e përkohëshme, por gjithsesi sinjalizon zbutje dhe jo përpjekje të re për konflikt”.

Retorika për Revansh

Udhëheqësi i vetë-shpallur i Republikës Popullore të Donetskut, Aleksandr Zakharchenko në një konferencë për shtyp që zhvilloi javën e kaluar në Donetsk, ritheksoi synimet për të marrë gradualisht të gjithë territorin në Ukrainën juglindore, që njihet si Donbas.

“Unë e konsideroj dhe do të vazhdoj ta konsideroj territorin e rajonit të Donetskut, i cili aktualisht është nën kontrollin e autoriteteve të Kievit, si të pushtuar në mënyrë të paligjshme dhe si objektivi ynë për çlirim”, tha ai. “Koha do ta tregojë se me ç’mjete do ta arrijmë këtë”.

Zakharchenko përmendi qytetet specifike që do të “çliroheshin” si për shembull Slovyansk, Krasnoarmeisk dhe Mariupol. Një tjetër zëdhënës i separatistëve, Eduard Basurin, të mërkurën mohoi të ketë plane për ofensivë.

Krerët e separatistëve dhe autoritetet ruse thonë se janë udhëheqësit ukrainas ata që duket se po përgatiten për të luftuar dhe citojnë komentet e fundit të Presidentit Petro Poroshenko për të rimarrë nën kontroll aeroportin e Donetskut.

Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry, gjatë udhëtimit që zhvilloi këtë muaj në Rusi – i pari që zhvillon kryediplomati amerikan në këtë vend që nga kriza e Ukrainës – bëri një paralajmërim të pazakontë në adresë të zotit Poroshenko, duke i bërë thirrje të mos ndërmarrë masa ofensive kundër separatistëve, që mund të sillnin një ringjallje të konfliktit.

Zoti Poroshenko iu përgjigj shqetësimeve të zotit Kerry në intervistën për BBC-në, duke thënë se Ukraina duhet të jetë e përgatitur të vetëmbrohet, por gjithashtu “nuk duhet t’u japë atyre një shans sado të vogël provokimi”.

Si zoti Kerry, ashtu edhe Kancelarja gjermane Angela Merkel, zhvilluan takime të veçanta me Presidentin Poroshenko në Rusi dhe të gjitha palët theksuan rëndësinë e respektimit të marrëveshjes së Minskut.

Krimea apo Donbasi

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov tha se zoti Kerry nuk e kishte ngritur temën e statusit të Krimesë gjatë takimit në Soçi me të dhe Presidentin Putin.

Vëzhguesit vënë në dukje se politikanët perëndimorë janë treguar më të rezervuar në komentet e tyre mbi këtë temë gjatë javëve të fundit, por ata shprehen se ky fakt tregon një ndryshim në tonin e komenteve dhe jo në politikat e Perëndimit.

Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe aleatët e tjerë perëndimorë e konsiderojnë Krimenë pjesë të Ukrainës dhe nën pushtimin rus, dhe se si e tillë duhet t’i rikthehet Kievit.

Kancelarja Merkel e quajti marrjen nga Rusia të këtij gadishulli të detit të Zi, një veprim të paligjshëm dhe kriminal. Zoti Trenin thotë se Kremlini po harton një marrëveshje që tenton të arrijë njohjen ndërkombëtare të Krimesë, si pjesë e Rusisë.

“E dëgjova Ministrin Lavrov disa muaj më parë të përshkruajë formulën e Rusisë për zgjidhjen e krizës së Ukrainës. Dhe ishte shumë e thjeshtë: Krimea është ruse, ndërsa Donbasi është ukrainas. Duhet të shtjellohet më tej, por kjo është formula që po nxjerrin rusët,” thotë ai.

Rusia këmbëngul në të vetën

Pavel Felgenhauer, një analist i çështjeve të mbrojtjes dhe kontribues në gazetën Novaya Gazeta në Moskë, thotë se ekzistojnë shumë pak shenja që tregojnë se po ulet konfrontimi ushtarak në Donbas.

“Nëse dëshiron një konflikt të ngrirë, atëherë duhet të përpiqesh të rindërtosh bazat për një bashkëjetesë paqësore, me sa të mundesh. Në realitet, të gjitha përpjekjet po bëhen drejt riarmatimit dhe riorganizimit të forcave separatiste për një ofensivë të re. Çka do të thotë se është e paevitueshme,” thotë ai.

Shumë analistë politikë besojnë se Kremlini po mbështet kryengritësit me qëllimin për të ruajtur ndikimin mbi qeverinë pro-perëndimore në Kiev, dhe për të mos lejuar që Ukraina t’i bashkohet aleancës perëndimore ushtarake, NATO-s.

Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, u takua të martën me Ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov, dhe shprehu shqetësimin për numrin e madh të manovrave ushtarake ruse të kryera brenda një periudhe kohore të shkurtër. Ai i bëri gjithashtu thirrje Moskës të tërheqë mbështetjen ushtarake për kryengritësit. Autoritetet ukrainase njoftuan këtë javë se kanë kapur dy ushtarakë rusë të dërguar nga Kremlini, në territorin e kontrolluar nga separatistët. Moska mohoi që ata të jenë ushtarakë në shërbim aktiv, duke ruajtur kështu linjën se ekzistojnë vetëm vullnetarë që po ndihmojnë kryengritësit. Kur u kapën vjet në muajin gusht 10 parashutistë rusë në Ukrainë, autoritetet ruse thanë se parashutistët patën humbur rrugën dhe kaluan kufirin aksidentalisht.

Vëzhguesit e OSBE-së u takuan të martën në një spital në Kiev me dy rusët e kapur, të cilët pranuan se janë ushtarakë në shërbim aktiv, të dërguar në një mision zbulimi. Njëri u shpreh se pati marrë urdhër të shkojë në Ukrainë, dhe të dy thanë se kishin qenë në misione të tjera në Ukrainë edhe më parë.

Zoti Trenin thotë se provat në rritje për mbështetjen e fshehtë ushtarake të Rusisë për separatistët, po pranohen gradualisht nga publiku rus.

“Mendoj se u ka shkuar mendja që Rusia po ndihmon ushtarakisht në mënyra të ndryshme. Nuk mendoj se dinë numrat e ushtarakëve të përfshirë në këtë gjë, por mendoj se në thelb besojnë se Rusia është e përfshirë dhe besojnë se ky është qëndrimi i duhur – pra të përfshihet.”

Zoti Trenin thotë se propaganda ruse e ka shtyrë shumicën e rusëve të besojnë se konflikti në Ukrainë është më tepër një luftë ndërmjet Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara, se sa ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës.

Kombet e Bashkuara thonë se më shumë se 6200 njerëz janë vrarë në Ukrainën lindore që kur separatistët e mbështetur nga Rusia morën zyrat e qeverisë një vit më parë dhe e shpallën zonën republikë.

XS
SM
MD
LG