Lidhje

Përgjigja e NATO-s ndaj aneksimit rus të Krimesë


Aneksimi rus i gadishullit të Krimesë nga Ukraina e ka vënë NATO-n në qendër të vëmendjes. Korespondenti i Zërit të Amerikës Andre de Nesnera analizon përgjigjen e aleancës perëndimore ndaj krizës aktuale mbi Krimenë dhe Ukrainën lindore.

Ekspertët thonë se sulmi i papritur ushtarak i Rusisë në Ukrainë dhe aneksimi i Krimesë ishte një mësim për aleancën prej 28 vendesh të NATO-s.
Charles Kupchan, ekspert për NATO-n në Universitetin Georgetown, thotë se që nga fundi i Luftës së Ftohtë, aleanca perëndimore është përpjekur të ri-përkufizojë misionin e saj.

“Disa muaj më parë, njerëzit flisnin rreth një krize ekzistenciale për aleancën në mungesë të misionit në Afganistan, ku shumica e trupave të NATO-s parashikohet të largohen nga fundi i vitit 2014. Dhe pyetja ishte: po tani? Dhe tani, mendoj se është një ringjallje të misionit tradicional të mbrojtjes kolektive të NATO-s.”

Misioni përcakton se një sulm ndaj një vendi anëtar është një sulm ndaj të gjithëve.
Gjatë një takimi të kohëve të fundit të NATO-s, sekretari i përgjithshëm Anders Fogh Rasmussen riafirmoi angazhimin e aleancës për mbrojtjen kolektive, duke thënë: “Ne do të frenojmë dhe do të mbrohemi ndaj çdo lloj kërcënimi.”

“Ne e kemi forcuar praninë e NATO-s në kufijtë lindorë të Aleancës. Po dërgojmë avionë mbikqyrës mbi Poloni dhe Rumani. E kemi më shumë se dyfishuar numrin e avionëve luftarakë të përcaktuar për misionin e patrullimit ajror në shtetet baltike.”

Polonia dhe Romania janë anëtare të NATO-s të cilat janë në kufi me Ukrainën në perëndim. Rusia ka grumbulluar mijëra trupa në kufirin me Ukrainën, duke bërë që ekspertët perëndimorë të thonë se një sulm i papritur në Ukrainën lindore është i mundshëm.

Charles Kupchan thotë se në një rast të tillë NATO-ja do të reagonte edhe më shumë për të mbrojtur anëtarët e saj.

“Do të shihnim një zgjerim të konsiderueshëm në lëvizjet që NATO-ja ka marrë përsipër deri tani, për të rritur mbrojtjen në kufirin lindor, mbase edhe duke përfshirë anulimin e marrëveshjes joformale që ishte arritur kur disa vende të Evropës Qendrore hynë në NATO, me të cilën u thuhej rusëve se NATO-ja nuk do të vendoste sasi të konsiderueshme trupash në Evropën qendrore.”

Zoti Kupchan thotë se reagimi i NATO-s nuk do të jetë luftë e mirëfilltë.

“Mundësia e një përleshjeje mes forcave të NATO-s dhe Rusisë për Ukrainën është jashtë diskutimit. Dhe kjo ndodh sepse është bërë një vlerësim i situatës në këtë anë të Atlantikut, por edhe në Evropë, se ajo që ka ndodhur dhe mund të ndodhë në Ukrainën lindore nuk është çështje lufte, pra luftë mes demokracive të perëndimit dhe Rusisë.”

Sean Kay, ekspert për NATO-n në Universitetin “Ohio Wesleyan” është dakord me këtë pikëpamje. Por ai thotë se forcat ruse do të kenë vështirësi nëse hyjnë në Ukrainën lindore.

“Ne nuk mund të bëjmë shumë për t’i ndaluar. Por aftësitë e tyre ushtarake janë shumë të pakta. Ata mund t’ia dalin kur bëhet fjalë për një konflikt si lufta e Gjeorgjisë e 2008-ës, e shkallës së vogël me forca të trajnuara mirë. Por për të mbështetur një stacionim të madh forcash për një periudhë të gjatë në një territor armiqësor – kjo do të ishte e vështirë për rusët.”

Charles Kupchan shpjegon:

“Nëse Putini hyn në Ukrainën lindore, ai do të hapte kutinë e Pandorës. Ai rrezikon një luftë civile në territorin e tij, rrezikon t’i fusë trupat ruse në diçka që mund të kthehet në një situatë si ajo e Afganistanit.”

Si rrjedhojë e ndërhyrjes ushtarake ruse në Krime, NATO-ja ka pezulluar bashkëpunimin civil dhe ushtarak me Moskën. Zyrtarët e NATO-s thonë se do të rishikojnë marrëdhëniet e tyre me Moskën si pasojë e veprimeve të Rusisë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG