Lidhje

Gjendja e ushtrisë ukrainase dhe mundësia e një lufte


Tensionet janë në rritje në Ukrainën lindore, ku forcat ushtarake dhe të sigurisë përpiqen të rimarrin kontrollin e zonave që mbahen nga njerëz të armatosur rëndë, duke përfshirë edhe rusë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Andre de Nesnera ka përgatitur një analizë të ushtrisë së Ukrainës.

Sipas vlerësimeve të Perëndimit, Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës kontrollon rreth 70 mijë deri në 130 mijë ushtarakë në detyrë.

Por Stephen Blank, një ekspert i Këshillit Amerikan për Politikën e Jashtme, thotë se forcat e armatosura të Ukrainës kanë probleme madhore.

"Udhëheqja dhe kontrolli në krye të strukturës kanë qenë shumë të dobëta. Janë ndërruar disa ministra të mbrojtjes dhe krerë të njësive të ndryshme të ushtrisë që kur qeveria e re erdhi në pushtet. Së dyti, rusët kanë depërtuar për një kohë të gjatë në shërbimet e tyre të zbulimit. Së treti, ato kanë pasur probleme me fondet, kanë qenë janë viktimë e korrupsionit si dhe e një udhëheqjeje të dobët për vite me rradhë."

Keir Giles, kreu i Qendrës Kërkimore për Studimet e Konflikteve, në Oksford të Anglisë, thotë se Ukraina është përpjekur të modernizojë forcat e saj të armatosura.

"Por ky modernizim ka qenë shumë më pak ambicioz dhe shumë më pak i financuar sesa në rastin e ushtrisë ruse. Pra ukrainasit ende përdorin disa lloje pajisjesh të cilat nuk vihen më në shërbim nga forcat ruse. Këto janë pajisje të vjetra, me sisteme të vjetra mirëmbajtjeje. Për ushtrinë e Ukrainës kanë ndryshuar më pak gjëra që nga fundi i Bashkimit Sovjetik sesa kanë ndryshuar për Rusinë që nga Lufta e Gjeorgjisë."

Ekspertët thonë se përpjekjet e Rusisë për të modernizuar ushtrinë e saj u nxitën nga paraqitja e saj e dobët në vitin 2008, kur Moska zhvilloi pesë ditë luftime me Gjeorgjinë për dy rajone separatiste.

Një nga reformat synonte që ushtria ruse të bëhej më e lëvizshme, e pajisur në mënyrë më efektive për t’u përgjigjur shpejt dhe për t’u përballur me konflikte lokale. Rezultati i këtyre reformave u shfaq gjatë aneksimit të gadishullit ukrainas të Krimesë muajin e kaluar nga Rusia.

Ekspertët thonë se Ukraina ka një ushtri të madhe të stilit sovjetik.
Zoti Giles thotë se një problem tjetër me të cilin përballet ushtria ukrainase është se anëtarët e saj nuk janë të gjithë besnikë ndaj Ukrainës.

"Nuk duhet t’i besojmë të gjitha hitoritë që vijnë nga Ukraina lindore rreth largimeve nga radhët e ushtrisë. Por është e vërtetë se shumë nga udhëheqësit e nivelit të lartë të ushtrisë së Ukrainës kanë shërbyer së bashku me homologët e tyre rusë në forcat e armatosura sovjetike. Është gjithashtu e vërtetë se shumë nga ushtarakët ukrainas që kemi parë disa ditë para se të fillonte kjo krizë, fare hapur e përshkruanin veten si rusë."

Separatistët prorusë kontrollojnë disa dhjetëra qytete në Ukrainën lindore. Përveç kësaj, rreth 40 mijë trupa ruse janë vendosur në kufirin ukrainas, çka mund të përbëjë pjesën fillestare të një force të mundshme pushtimi.

Keir Giles dhe analistë të tjerë thonë se ushtria ukrainase nuk është e gatshme për t’u përballur me një pushtim rus, nëse kjo gjë ndodh.

Ekspertët thonë se nëse Rusia pushton Ukrainën lindore, do të rrezikonte të përfshihej në një luftë të gjatë, sidomos në se ukrainasit angazhohen në luftë guerrilase. Dhe ky, thonë analistët, është një skenar që Moskës nuk i pëlqen.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG