Lidhje

Zgjedhje vendimtare në Ukrainë


Votuesit në Ukrainë i drejtohen qendrave të votimit të dielën për të zgjedhur parlamentin e ri, hapi i fundit politik i revolucionit që filloi gati një vit më parë. Këto zgjedhje pritet ta çojnë vendin më pranë reformave shumë të nevojshme, por nuk do të mund të jenë zgjidhje për të gjitha problemet e tij.

Kur ukrainasit dolën në sheshe e rrugë dimrin e kaluar për protestat që çuan në përmbysjen e ish-presidentit pro-rus të vendit, mesazhi i tyre ishte i qartë: ata donin lidhje më të ngushta me Evropën Perëndimore, dhënien fund të korrupsionit dhe një shoqëri më të drejtë dhe të hapur.

Ata zgjodhën një president të ri në muajin maj - biznesmenin Petro Poroshenko - i cili premtoi të punonte për këto qëllime. Por ai shpesh u pengua nga parlamenti i vjetër që ishte ende në detyrë. Ligjvënësit ranë dakord për lidhje më të ngushta me Evropën, por u tërhoqën në lidhje me përpjekjet për të luftuar korrupsionin dhe marrjen e masave të tjera.

Kështu, Poroshenko thirri zgjedhje të parakohshme parlamentare. Blloku i tij pritet të fitojë shumicën e vendeve në parlament dhe të formojë një qeveri me partitë e tjera reformiste, sipas Andrew Wilson i Universitetit College të Londrës, i cili foli përmes Skype-it.

"Kryesisht, do të kemi një lloj konsensusi të ri patriotik në parlament. Por kjo nuk është e njëjta gjë si të jesh pro-reformave."

Zoti Wilson, i cili sapo ka botuar një libër mbi krizën ukrainase, thotë se shumica e anëtarëve të tanishëm të parlamentit ka të ngjarë të rizgjidhen, por deri në 50 anëtarë të rinj do të mund të ndryshojnë dinamikën e këtij institucioni.

Në qytetin perëndimor të Lvivit, Taraz Vozniak, tashmë redaktor i një reviste, shpreson të jetë një prej tyre.

"Së pari duhet të kuptojmë dhe të shprehim në mënyrë të qartë se çfarë forme dhe çfarë drejtimi duam që të marrë vendi ynë. Pas kësaj, me siguri do të mund të zbatojmë reformat dhe ai do të jetë suksesi ynë i vërtetë."

Zoti Vozniak thotë se ky është fillimi i një epoke me një politikë të re e më praktike në Ukrainë, pas një periudhe të gjatë kur njerëzit prisnin mrekulli nga udhëheqësit e tyre.

"Askush nuk e do Poroshenkon thellësisht. Njerëzit kanë bërë një kontratë martesore, jo një lidhje me dashuri. Dhe kjo është një gjë shumë e mirë."

Presidenti dhe parlamenti i tij i ri do të përballen me shumë pengesa, veçanërisht me përfshirjen e vazhdueshme të Rusisë në kryengritjen separatiste në Ukrainën lindore. Rajoni, i quajtur Donbas, nuk do të votojë të dielën, por do të mbajë zgjedhjet e tij disa ditë më vonë, të cilat qeveria qendrore i ka quajtur "të paligjshme."

"Gjëja kryesore është se Rusia mund të jetë shumë manipuluese. Ajo dëshiron të arrijë krijimin e një shteti de facto në Donbas, konkretisht, me mjete politike ose ushtarake ose ekonomike," thotë studiuesi Wilson.

Por ndërsa luftimet në lindje vazhdojnë dhe hija e armiqësisë ruse kërcënon të ardhmen e Ukrainës, pjesa më e madhe e vendit ndihet larg nga kriza, ndërkohë që përgatitjet për zgjedhjet e dyta që nga lëvizja e Revolucionit të Shkurtit kanë hyrë në fazat përfundimtare.

XS
SM
MD
LG