Lidhje

Ukrainë: 31 të vdekur nga zjarri në Odesa


Policia ukrainase në qytetin port të Odesës thotë se të paktën 31 vetë kanë vdekur nga zjarri në një ndërtesë. Zjarri shpërtheu si rezultat i luftimeve mes separatistëve pro-rusë dhe përkrahësve të qeverisë qendrore në Kiev.

Një deklaratë e qeverisë tha se zjarri shpërtheu në një ndërtesë sindikaliste dhe se 31 trupa u gjetën në skenën e ngjarjes. Agjencia ruse e lajmeve RIA Novosti tha se rreth 50 të tjerë u plagosën, përfshirë 10 policë. Odesa, porti kryesor në Detin e Zi, i kishte shpëtuar dhunës pro-ruse që ka mbërthyer pjesë të mëdha të Ukrainës lindore.

Ndërkaq më parë dje, forca qeveritare ukrainase ndërmorën sulmin e parë madhor ndaj qytetit të Slovianskit, që ka rënë në duart e separatistëve.

Media perëndimore tha se forcat ukrainase kanë marrë pika kontrolli në periferi të qytetit, por nuk kanë arritur të përparojnë drejt qendrës së qytetit, të fortifikuar mirë. Separatistët qëlluan dy helikopterë ukrainas gjatë luftimeve, duke vrarë dy anëtarë të ekuipazhit. Sipas njoftimeve një tjetër pilot u kap nga separatistët.
XS
SM
MD
LG